Gazetar: Suad Bajrami
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur hetim për organizim të paligjshëm të lojërave të fatit, pastrim parash dhe fajde. Zyrtarët policorë nga Njësiti për Krim të Organizuar dhe Serioz nën udhëheqjen e prokurorit, mbrëmë kanë realizuar aksion në disa lokacione të Shkupit, gjatë së cilit janë arrestuar 8 persona.
Gjatë bastisjeve, janë gjetur sasi e madhe e rekuizitave për lojëra të fatit, letra dhe çipa bixhozi, tavolina profesionale për poker dhe pajisje të tjera, sasi e konsiderueshme e parave në denarë dhe euro, automjete dhe drogë. Në njërin prej lokacioneve janë kapur në flagrancë 14 persona duke luajtur bixhoz.
“Në hetimin e parë janë përfshirë gjashtë persona. Të dyshuarit kanë siguruar lojtarë dhe kanë caktuar terminë për lojërat “Omaha”, “Poker”, “Rreth” dhe “Briç”. Lojërat janë realizuar në ditë të caktuara, me numër të caktuar të lojtarëve dhe rregullave të caktuara për sasinë e parave. Grupi ka ndërmjetësuar arkën për pagesat e lojtarëve dhe për shpenzimet e klubit. Janë angazhuar edhe persona për rregullimin e tavolinave, por edhe persona që kanë ndarë letrat e bixhozit apo të ashtuquajtur “dealer”, thonë nga Prokuroria.
Prokuroria paralelisht ka hapur dhe hetimin e dytë, në të cilin është i përfshirë njëri prej personave të hetimit të parë dhe dy persona të tjerë.
“Ata dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 7.5 milionë denarë apo mbi 120 mijë euro, të cilat i kanë lëshuar në qarkullim nëpërmjet marrjes dhe dhënies së parave të përfituara me fajde. Paratë i kanë futur nëpër llogaritë e tyre, kanë pranuar para nga llogaritë e personave të tretë dhe i kanë përdorur për blerjen e pronave të patundshme, pagesave të obligimeve për kreditë dhe për jetesë luksoze. Për këtë, dy të dyshuarit do të ndiqen për veprën penale “Fajde” dhe “Pastrim parash”, theksuan nga Prokuroria.
Duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit, nga Prokuroria njoftojnë se do të kërkojnë nga gjykata paraburgim për 7 persona, ndërsa për njërin arrest shtëpiak./ Alsat.mk
The post Shkup/ Bixhoz, fajde dhe pastrim parash, 8 persona përfunduan në pranga appeared first on Alsat.
