Tre vjet pasi Kosova dorëzoi aplikimin për statusin vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, procesi ka mbetur pothuajse në të njëjtën pikë. Ndërsa institucionet vendore flasin për progres dhe orientim të qartë strategjik, nga Brukseli mesazhi është i ftohtë dhe i njëjtë se vendimi është ende te shtetet anëtare të unionit.

Në qeverinë në detyrë thonë se që procesi të mbetet i bazuar në meritokraci dhe BE-ja të ruajë kredibilitetin, aplikimi së paku duhet të marrë vëmendjen dhe vlerësimin serioz nga ana e unionit evropian dhe anëtarëve të saj. Megjithatë, njohësit e integrimeve evropiane avancimin e rrugës euro-integruese e ndërlidhin me progres në dialogun Kosovë–Serbi.

Nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thonë se Komisioni Evropian është i përgatitur të procedojë me hartimin e mendimit mbi aplikimin e Kosovës, por vetëm pasi shtetet anëtare të kërkojnë këtë hap.

“Ju lutemi vini re se Komisioni Evropian është gati të përgatisë një mendim mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim, nëse kërkohet nga Këshilli. Gjithashtu, siç është theksuar më parë, vendimi për shtetet e reja që bashkohen me BE-në, i takon në fund të fundit shteteve anëtare për ta vendosur”, thuhet në përgjigjen për KosovaPress.

Në anën tjetër, në qeverinë në detyrë thonë se vendi e meriton statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress, se përparimi ekonomik, politik dhe i zbatueshmërisë së përgjithshme të reformave, dëshmon gatishmërinë e Kosovës për ta marrë statusin vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Angazhimi përmes takimeve intensive e bisedat në çdo nivel me homologë dhe kolegë nga BE dhe shtetet anëtare nuk kanë munguar. Aty kemi argumentuar si kemi arritur deri te aplikimi dhe pse meritojmë statusin e vendit kandidat. Që procesi të mbetet i bazuar në meritokraci dhe të ruajë kredibilitetin, sidomos tani me rigjallërimin e procesit të zgjerimit për shkak të situatës gjeopolitike në Evropë, aplikimi së paku duhet ta marrë vëmendjen dhe vlerësimin serioz nga ana e BE dhe anëtarëve të saj”, thuhet në përgjigjen e tij për KosovaPress.

Në anën tjetër, politologu Artan Muhaxheri thotë se rruga e avancimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian është e varur 100 për qind nga progresi në dialogun me Serbinë.

Sipas tij, pa ringjallje të dialogut dhe pjesëmarrje konstruktive në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve të arritura, s’ka gjasa teorike që Kosova të bëjë hapa të rëndësishëm në agjendën evropiane.

“E gjithë rruga avancuese e Kosovës drejt BE-së është e varur 100 për qind nga dialogu. Pa ringjallje të dialogut, pa pjesëmarrje konstruktive në dialog dhe realizim të marrëveshjeve të arritura deri tani, asnjë gjasë teorike nuk ka që Kosova të bëjë hapa të rëndësishëm në agjendën evropiane. Mund të ketë lojëra banale siç është pseudo-aplikimi për anëtarësim në BE. Ky aplikim nuk është marrë seriozisht nga asnjë person në BE, sepse janë 1 milion çështje që duhet të përfundohen para se një gjë e tillë të bëhet. Prandaj është një mashtrim i madh që e bëjnë politikanët kosovarë pasi çdo gjë do të varet nga dialogu dhe plotësimi i kritereve”, thotë ai.

Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor 2022. Dokumenti i aplikimit u dorëzua gjatë kryesimit të Çekisë në Këshillin e BE-së, duke shënuar një hap historik në përpjekjet e vendit drejt integrimit evropian. Në fillim, aplikimi u nënshkrua një ditë më parë, më 14 dhjetor 2022, nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri tashmë në detyrë Albin Kurti dhe ish-kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, për t’u dorëzuar zyrtarisht në Bruksel.

The post ​Tri vjet nga aplikimi për në BE, Kosova ende në pritje appeared first on Alsat.