Deni Masev më nuk do të jetë pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë në futboll, përcjell TV21. Ai sot njoftoi se po tërihqet nga funksioni i drejtorit të ekipit A. Thotë se arseja e dorëheqjes është kryetari i FFM-së, Muhumaed Sejdini dhe nënkryetari Llazar Rakixhiev, që sipas tij, e kanë privatizuar Federatën.

“Pohoj se Federata është privatizuar për një kohë të gjatë. Interes kanë vetëm dy personat e parë, kryetari Sejdini dhe zëvendësi i tij Rakixhiev. Në Bordin Drejtues ka njerëz të ndershëm, por për fat të keq ata nuk janë të njohur me çështjet që janë në interes vetëm të Sejdinit dhe Rakixhievit”, shkruan mes tjerash Masev në arsyetimin e tij për dorëheqje.

Masev thotë se pas dy ndeshjeve të rëndësishme që ka Maqedonia me Letoninë dhe Armeninë, është i gatshëm të flasë për shumë keqpërdorime.

“Në periudhën që vijon duhet të zbardhen njëherë e përgjithmonë shumat milionëshe që shpenzohen për gjithçka tjetër, përpos të mirës për futbollin. Nga transaksionet e famshme te hoteli “Shtëpia e Artit”, e deri te të ashtuquajturat “projekte” infrastrukturore në Veles dhe Maqedoni dhe punësimet në Federatë”, theksoi Masev.

Masev adresoi kritika edhe për largimin e sponsorëve nga FFM-ja. Ndryshe, javën e kaluar Video Lotaria Shtetërore Casinos Austria ndërpreu bashkëpunimin me Federatën e Futbollit të Maqedonisë.