Plani i përgjithshëm hapësinor i Maqedonisë do të miratohet gjatë vitit 2026, njoftoi drejtori i Agjencisë për Planifikimin e Hapësirës, Aleksandar Gelevski, përcjell TV21. Ai tha se edhe pse plani i mëparshëm, i miratuar në vitin 2004, kishte një horizont deri në vitin 2020, ai ende është në fuqi dhe do të zbatohet deri në miratimin e planit të ri.
Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikollovski tha se sapo plani të dorëzohet në Kuvend, ai do të votohet. Plani hapësinor quhet “Kushtetutë” për planifikimin e hapësirës në vend dhe përcakton zonat për ndërtim, bujqësi, energjetikë, infrastrukturë, si dhe përcakton parametrat ekologjikë dhe zonat që duhet të jenë të mbrojtura lartë.
Planet e përgjithshme urbanistike duhet të jenë në përputhje me Planin Hapësinor, që do të thotë se edhe planet e detajuara urbanistike duhet të jenë të harmonizuara me të.
“Procedura për miratimin e Planit të Përgjithshëm është e përcaktuar sipas Ligjit. Aktualisht, Agjencia ka dorëzuar Draftin e Planit Hapësinor. Pritet që periudha e planit të jetë deri në vitin 2040. Vitin e ardhshëm planifikohet të dorëzohet Plani Propozues dhe ai të kalojë në procedurë kuvendore dhe të miratohet. Pra, Plani Hapësinor hartohet për disa vite dhe ekziston një metodologji e përgatitjes dhe procedurës për miratimin e tij. Në këtë fazë është përgatitur vetëm faza e draftit dhe është dorëzuar për zhvillim në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor”, tha Aleksandar Gelevski, drejtor i Agjencisë për Planifikim Hapësinor.
