Që kur miliarderi rus shiti Chelsean në vitin 2022 nën presionin e qeverisë britanike, fondet nga shitja janë ngrirë.

Kryeministri britanik Keir Starmer tani po e lejon atë t’i përdorë ato, por vetëm për një kauzë: për ta ndihmuar Ukrainën, raportoi të mërkurën “Euronews”.

Mbretëria e Bashkuar ka lëshuar një licencë që lejon që 2.8 miliardë euro nga shitja e klubit të futbollit Chelsea nga Roman Abramovich të transferohen për kauza humanitare në Ukrainë, duke e paralajmëruar oligarkun rus se do të përballet me veprime ligjore nëse nuk i përmbahet këtij vendimi.

“Roman Abramovich të transferojë 2.5 miliardë funte për një kauzë humanitare për Ukrainën. Kjo qeveri është e përgatitur ta zbatojë atë nëpërmjet gjykatave në mënyrë që çdo qindarkë të arrijë tek ata, jeta e të cilëve është shkatërruar nga lufta e Putinit”, ka thënë kryeministri Keir Starmer në Dhomën e Komunave të mërkurën.

Sipas licencës së re, të ardhurat duhet të drejtohen për kauza humanitare në Ukrainë, por fitimet e ardhshme mund të shpenzohen më gjerësisht për viktimat e konfliktit në mbarë botën. Por fondet nuk mund t’i sjellin dobi Abramovichit ose individëve të tjerë nën sanksione.

Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj Abramoviçit në një goditje ndaj oligarkëve rusë pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në vitin 2022.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tani ka premtuar të krijojë një fondacion për të shpërndarë fondet, të udhëhequr nga Mike Penrose, ish-kreu i UNICEF-it në Mbretërinë e Bashkuar.

Abramovich thuhet se ka punuar në negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë për shkëmbimin e të burgosurve të luftës.