Shkupi vazhdon të jetë ndër qytetet më të ndotura në Evropë, sipas të dhënave nga “Air Care” zviceran, edhe mëngjesin e ditës së sotme ai zuri vendin e tretë pas Sarajevës dhe Bukureshtit sa i përket përqendrimit të grimcave PM-10. Sipas të dhënave nga ky aplikacion, në stacione të caktuara matëse në Shkup, përqendrimi i grimcave PM-10 tejkalon 300. Ajër më të ndotur kanë thithur banorët e lagjes Ilinden. Partia opozitare LSDM akuzon pushtetin për këtë situatë; sipas LSDM-së, pushteti nuk është duke ndërmarë masa konkrete në këtë drejtim.
“Në vend që të investojë para në projekte dhe politika për ajër më të pastër, në vend që të marrë masa dhe t’i mbrojë qytetarët, qeveria e Mickoskit shikon si të pompojë më shumë para përmes tenderëve kriminalë. 161 tender për një kompani, 9 milionë euro për një tjetër, vetëm për këtë ka para qeveria e Mickoskit. Nuk ka për investime në masa për ajër më të pastër. Për më tepër, sipas metodave të Vuçiqit dhe Gruevskit, Hristijan Mickoski i gënjen qytetarët se ajri ka qenë më i pastër se ai i Vjenës”, thonë nga LSDM.
Kanë reaguar nga partia në pushtet VMRO-DPMNE duke theksuar se LSDM keqpërdor një deklaratë të vjetër të kryeministrit Mickoski për cilësinë e ajrit.
“LSDM keqpërdor një deklaratë të vjetër të kryeministrit Mickoski për cilësinë e ajrit. Kjo është edhe një gënjeshtër tjetër e fabrikuar, si ajo me përhapjen e frikës për të ashtuquajturit migrantë. Nuk e dimë pse nuk e përdorin edhe deklaratën e Zaevit, se ai do të sjellë jetë dhe ajër për të gjithë”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Si rrjedhojë e ajrit të ndotur gjatë ditës së djeshme, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor doli me disa rekomandime për të përballuar situatën, edhe atë që të intensifikohen mbikëqyrjet inspektuese ndaj instalimeve me Leje Ekologjike të Integruar të tipit A, si dhe kontrolle në terren të instalimeve me Leje Ekologjike të Integruar të tipit B dhe Elaborate, intensifikimin e kontrolleve teknike të automjeteve. Punëdhënësit këshillohen të lirojnë nga puna gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç dhe ata me sëmundje kronike si astma, infarkt të kaluar të miokardit ose goditje në tru, sidhe një sërë masash tjera.
