
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njoftoi se këtë javë është ndaluar importi i 22,3 tonë kivi të destinuara për përpunim industrial, për shkak të ndryshimit të vetive organoleptike dhe pranisë së konstatuar të larvave dhe insekteve, raporton TV21.
Sipas AUV-së, bëhet fjalë për gjithsej 22.340 kilogramë kivi të importuara nga Republika e Serbisë, të cilat pas kontrollit organoleptik të kryer nga inspektori i ushqimit janë vlerësuar si të pasigurta për import dhe përpunim të mëtejshëm.
“Importuesit i është lëshuar vendim me urdhër për asgjësimin e padëmshëm të sasisë së kontestuar të kivit, pasi është njoftuar se ngarkesa nuk mund të kthehet në vendin eksportues”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Nga AUV theksojnë se kontrollet e shtuara në pikat e importit vazhdojnë me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, duke paralajmëruar masa të rrepta ndaj çdo produkti që nuk i plotëson standardet e përcaktuara ligjore.(INA)
