Edicioni i tretë i projektit “Open Stage” u përmbyll të martën, më 16 dhjetor, me seancat e seleksionimit për fëmijët e vitlindjes 2009, duke shënuar përmbylljen e një tjetër edicioni të suksesshëm. Në këtë projekt morën pjesë mbi 400 fëmijë me origjinë shqiptare nga e gjithë bota, të cilët i përkisnin vitlindjeve 2009, 2010, 2011 dhe 2012 dhe që patën mundësinë të shfaqin potencialin e tyre.

“Open Stage” ka si qëllim evidentimin dhe përzgjedhjen e talenteve të reja, duke u kthyer në një nga instrumentet më të rëndësishme për identifikimin e lojtarëve premtues, pa lënë jashtë vëmendjes asnjë talent, veçanërisht ata që jetojnë dhe aktivizohen jashtë vendit. Ky projekt zgjeron ndjeshëm bazën e mundësive për ekipet kombëtare dhe krijon një ndjekje të vazhdueshme të lojtarëve që aktivizohen në kampionatet e huaja.

Ashtu si në edicionet e mëparshme, edhe këtë vit “Open Stage” konfirmoi progresin e vazhdueshëm të procesit të seleksionimit, duke nxjerrë në pah lojtarë me potencial të lartë, të cilët do të ndiqen në vazhdim nga afër me synimin për t’u bërë pjesë e Kombëtareve të moshave.

Gjatë ditëve të seleksionimit, të zhvilluara në ambientet e FSHF-së, lojtarët u ndoqën nga trajnerët e ekipeve tona kombëtare, si edhe nga Drejtoria Teknike, Departamenti i Skautizmit dhe Departamenti i Ekipeve Kombëtare, duke garantuar një proces profesional dhe të strukturuar vlerësimi.

The post Edicioni i tretë i “Open Stage” mbyllet me sukses, morën pjesë mbi 400 fëmijë shqiptarë nga e gjithë bota appeared first on Telesport.