Qyteti i Shkupit vazhdon të prijë listën e vendeve me ajrin më të ndotur në Evropë. Partia opozitare LSDM akuzon se as Qeveria e as pushteti lokal i VMRO-DPMNE-së nuk marrin masa të duhura për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Me këtë rast, Grupi i këshilltarëve të LSDM në Këshillin e Qytetit të Shkupit kërkoi mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit, ku do të propozohen masa konkrete dhe për të njëjtën kërkuan mbështetjen e këshilltarëve të tjerë.
“Shkupi sot, në bazë të të dhënave zyrtare, është qyteti më i ndotur në Evropë. Qytetarët e Shkupit prej ditësh po mbyten në ajër të ndotur. Prandaj kërkojmë shpalljen e një gjendjeje krize mjedisore dhe shëndetësore në qytet. Prandaj, grupi i këshilltarëve të LSDM dhe koalicioni në Qytetin e Shkupit kanë paraqitur një iniciativë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, kërkojmë mbështetjen e të gjithë grupeve të këshilltarëve”, u shpreh Katerina Canevska Arsovska – këshilltare e LSDM-së.
Kanë reaguar nga VMRO-DPMNE, ku akuzat e LSDM-së i quajnë hipokrizi, pasi sipas tyre, gjatë kohës kur ata kanë qenë në pushtet nuk kanë ndërmarrë asgjë.
“Gjatë 7 viteve mund të kishin ulur ndotjen e ajrit të paktën për 10%, por prioritet i tyre ishte ndërtimi i ndërtesave, siç donin në Gjorçe të ndërtonin 100 ndërtesa në vitin 2020 po ashtu 100 ndërtesa në të njëjtën periudhë, 2020. Për ta rezymuar, nëse LSDM do të donte vërtet, mund të kishte ndërmarrë diçka”, thonë nga VMRO –DPMNE.
Nga partia në pushtet në komunikatën për media kanë renditur një sërë masash që ata kanë ndërmarrë edhe atë: Strategjia për ajër më të pastër 2024–2030, Subvencione për klima inverter, Pastrues ajri në çerdhet në Shkup, Pyllëzim masiv i shtetit, Gazifikimi i shtetit, Komuna e Shkupit ka vendosur masa dhe rekomandime për qytetarët për mbrojtje nga ajri i ndotur, Ndërtimi i 2 centraleve kogjenerative në hyrjet e Shkupit, Parqe me banka ku janë të integruar pastrues ajri.
