Marrëveshje kolektive e unifikuar sipas së cilës paga fillestare neto e mjekëve nga qytetet e tjera dhe nga Shkupi do të jetë e njëjtë, ndalimi i lëvizjes së personelit shëndetësor nga qytetet e tjera në Shkup si dhe rritja e pagave të punonjësve në shëndetësi, janë kërkesat e Sindikatës së Pavarur të Punonjësve të Shëndetësisë, pas takimit me Ministrin e shëndetësisë.

“Kërkesa jonë si sindikatë është që të kemi një marrëveshje kolektive të unifikuar, sipas së cilës një gjinekolog nga Strumica do të marrë të njëjtën pagë fillestare neto si një gjinekolog nga qytetet e tjera dhe nga Shkupi, sepse paga neto e një gjinekologu është e ndryshme në Strumicë dhe në Shkup”, tha Bobi Bojçevski, Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punonjësve Shëndetësorë.

Bojçevski po ashtu bëri të ditur se paga mesatare e një mjeku të përgjithshëm është 45 mijë denarë dhe me kujdestari arrin në 50 mijë denarë. Për këto ankesa dhe të tjera, nga Ministria e Shëndetësisë kumtuan bisedimet do të vazhdojnë me qëllim për t’u përmirësuar.

“Punësimet, pajisjet mjekësore, specializimet në qendrat shëndetësore, migrimi i mjekëve, sfidat me kuadrin në Ndihmën e Shpejtë Mjekësore, si dhe avancimi i sistemit “Termini im”, ishin disa nga temat e takimit të sotëm, për të cilat ministri theksoi se janë në proces iniciativa për përmirësim”, u shpreh Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.

Nga Shëndetësia përfundojnë duke thënë se dialogu social është instrumenti kyç për ndërtimin e një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm dhe funksional, për të identifikuar në kohë problemet dhe gjetjen e  zgjidhjeve sistemore.