Gazetare: Ajnur Bafqari

Mërgimtarët të cilët po kthehen në Maqedoninë e Veriut për festat e fundvitit, po përballen me pritje të gjata nëpër pikat kufitare.

Fluks edhe më të madh kishte gjatë fundjavës, ku janë raportuar ankesa për pritje deri në 12 orë nëpër rrugë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, tha se në këto raste shteti nuk mund të ndërhyjë, madje këto çështje janë jashtë kontrollit edhe të vendeve që drejtojnë kufijtë e zonës Shengen. Vetëm gjatë fundjavës mbi 20 mijë qytetarë janë futur në vend.

Gjermania, Austria dhe Zvicra janë destinacionet më të zakonshme nga ku qytetarët tanë kthehen për festat e Vitit të Ri, ndërsa zyrtarët thonë se gjatë disa ditëve në vijim pritet dyndje më e madhe në pikat kufitare.

“Është tipike në këtë periudhë të vitit në hyrje dhe dalje të zonës së Shengenit, me siguri bëhen turma që supozoj janë jashtë kontrollit edhe të vendeve që drejtojnë kufinjtë e zonës Shengen. Konkretisht tek ne, drejtori për çështje konsullore, ishte me ne në mbledhje, nuk më ka informuar për ndonjë problem konkret më të madh konsullor që e kanë pasur qytetarët tanë. Por më duhet të them se si në periudhën e verës, ashtu edhe për festat e fund vitit, nuk do të më befasonte nëse ndodh diçka e tillë, por kjo nuk është diçka që varet nga ne si shtet”, theksoi Timço Mucunski, ministër i Jashtëm./ Alsat.mk

The post Mërgimtarët ‘bllokojnë’ kufijtë – Mucunski: Është e pritshme për këtë periudhë të vitit appeared first on Alsat.