Koalicioni VLEN dhe Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) kanë shkëmbyer akuza të rënda publike, duke hapur një përplasje të drejtpërdrejtë politike para zgjedhjeve të 11 janarit në Gostivar. Në një kumtesë, VLEN akuzon ish-kryetarin e Gostivarit, Arben Taravarin, për keqpërdorim të rëndë të parasë publike. Sipas VLEN-it, ndërtimi i një salle të Këshillit Komunal ka kushtuar rreth 750 mijë euro, ndonëse, siç theksojnë ata, “teknikisht dhe funksionalisht ajo mund të ndërtohej me një kosto maksimale prej 50 mijë eurosh”.

“Kjo nuk është gabim dhe nuk është interpretim politik. Kjo është keqpërdorim i rëndë i parasë publike. Dokumenti ekziston dhe është i nënshkruar nga Arben Taravari”, thuhet në reagimin e VLEN-it, duke shtuar se “përgjegjësia ka emër dhe mbiemër”.

Koalicioni VLEN e cilëson rastin si “rekord turpi dhe papërgjegjshmërie institucionale”, ndërsa paralajmëron se më 11 janar, sipas tyre, “qytetarët e Gostivarit do t’i japin fund këtij modeli qeverisjeje”.

Nga ana tjetër, Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka reaguar me një kumtesë të veçantë, duke akuzuar VLEN-in dhe kandidatin e tij për kryetar të Gostivarit, Nevzat Bejtën, për lidhje të dyshimta me projekte ndërtimore në Parkun Kombëtar “Mavrovë”.

Sipas AKI-së, projekti i ashtuquajtur “zhvillim turistik” në Mavrovë përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe të Planit të Menaxhimit të parkut.

“Në zonën e menaxhimit aktiv ndalohet ndërtimi i objekteve të reja turistike. Ky është akt zyrtar që buron nga ligji dhe ka përparësi ndaj çdo projekti urbanistik të improvizuar”, thuhet në kumtesë.

AKI shpreh shqetësim të veçantë për, siç e quan, konflikt interesi, duke theksuar se disa nga parcelat e përfshira në projekt janë pronë e djalit të Nevzat Bejtës.

“Lind dyshimi i arsyeshëm se kandidimi i Nevzat Bejtës nuk ka motiv real politik, por shërben si instrument presioni për të siguruar leje ndërtimi dhe mbrojtje politike”, thekson AKI.

Në reagim, AKI ngre edhe pyetje për burimin e mjeteve financiare të këtyre projekteve.

“Nga i ka siguruar Nevzat Bejta mjetet financiare milionëshe për projekte të këtij përmasimi? A ka përputhje mes pasurisë së deklaruar dhe ambicieve ndërtimore?”, thuhet më tej.

Përplasja mes dy subjekteve politike thellon edhe më tej tensionet në prag të zgjedhjeve lokale, ndërsa akuzat reciproke për korrupsion, konflikt interesi dhe keqpërdorim të pushtetit pritet të jenë në qendër të debatit publik në Gostivar dhe më gjerë.