Gazetar: Bashkim Sulejmani
Vendimi i Gjykatës së Apelit për dyfishimin e dënimit me burg për dy ish drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës Florin Besimi dhe Artan Etemi, ka nxitur reagime. Ish drejtori ekonomik i spitalit Artan Etemi, vendimin e cilësoi si politik, ndërsa drejtësinë selektive.
“Drejtësi selektive, me motive politike dhe etnike, ky është përshkrimi im për aktgjykimin e gjykatës së Apelit në Gostivar. Nuk u ngrit procedurë ndaj atyre që porositën, ndërtuam dhe mbikëqyrën ndërtimin e Spitalit Modular, ne e pranuam si donacion nga Ministria e Shëndetësisë. Është etnik sepse të akuzuar jemi vetëm dy shqiptarë. Ndërsa ministri Filipçe, firma ndërtuese e Angjushevit as që u hetuan sepse i mbrojti dikush”, tha Artan Etemi, Ish drejtor ekonomik.
Ish drejtori Florin Besimi thotë se janë dënuar të gjithë ata që nuk kanë pasur lidhje me ndërtimin e Spitalit Modular.
“Vendimi i parë i Gjykatës së Tetovës për dënim me kusht, në bazë të ankesës sonë, u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit me arsyetimin se nuk kishte bazë për dënim. Ndërsa e njëjta Gjykatë, mbi bazën e të njëjtit gjykim, jo vetëm që e pranon vendimin për dënim efektiv, por madje e rrit atë në 3 vjet burg efektiv. Kjo është indikative dhe kërkon përgjigje. Nuk mund të dënohem për aparate dore për fikjen e zjarrit, të cilat edhe sikur të kishin qenë aty nuk do të mund të shërbenin për të ndërhyrë ndaj një zjarri të atillë, i cili ishte pasojë e mënyrës së ndërtimit të objektit”, u shpreh Florin Besimi ish drejtor.
Etemi dhe Besimi paralajmëruan se do ta ankimojnë vendimin e Apelit për dyfishimin e dënimit. /Alsat.mk
The post Ish drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës do ta ankimojnë vendimin e Gjykatës për dyfishimin e dënimit appeared first on Alsat.
