Vazhdojnë akuzat e Koalicionit VLEN për abuzim me çmimin për ndërtimin e sallës së Këshillit Komunal në Gostivar. Sipas tyre, ish-kryetari Arben Taravarin dhe ish-ushtruesi i detyrës Valbon Limanin, kanë keqpërdorur buxhetin komunal.
“Një sallë e Këshillit Komunal, e cila teknikisht dhe funksionalisht mund të ndërtohej me një kosto maksimale prej 50 mijë eurosh, është ndërtuar me një çmim skandaloz prej rreth 750 mijë eurosh. Kjo nuk është gabim. Nuk është interpretim. Nuk është debat politik. Kjo është keqpërdorim i rëndë i parasë publike. Dokumenti ekziston. Shifra ekziston. Dhe dokumenti është i nënshkruar nga Arben Taravari”, thonë nga VLEN.
Kandidati i AKI-së për kryetar të Gostivarit, Valbon Limani, hedh poshtë akuzat e kundërkandidatit të tij dhe të koalicionit VLEN. Mbrëmë në emisionin Clik Plus, ai sqaroi se projekti do të kushtojë rreth 530 mijë euro dhe nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e sallës së Këshillit, por për rinovimin e të gjithë katit përdhese.
“Me sa kam informata, projekti është diku rreth 530 mijë euro me kontratë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për sallën e Këshillit, por për katin përdhese. Përfshin gjithashtu qendrën informative dhe një qendër të re që do t’u shërbejë qytetarëve, me tualete dhe elementë të tjerë shtesë, përfshirë izolimin. Nuk bëhet fjalë vetëm për sallën me votim elektronik. Nuk dua të hyj në detaje; qytetarët më së miri do ta kuptojnë dhe më 11 janar do të japin përgjigjen e tyre”, u shpreh Valbon Limani – kandidat i AKI-së për Gostivarin.
Limani hodhi poshtë edhe akuzat e kundërkandidatit të tij se borxhi i komunës është 30 milionë euro. Sipas tij, borxhi real i komunës së Gostivarit është nga 9 deri në 9.5 milionë euro.
Limani pret mbështetje edhe nga ASH-ja e Ziadin Selës, me të cilën, siç tha, po realizojnë së bashku aktivitetet. Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve të përsëritura më 11 janar, Limani u shpreh i bindur se nuk do të ketë ndryshim të rezultatit.
