Gazetare: Melihate Rustemi
Në dekadën e parë të themelimit të Universiteti shtetëror “Nënë Tereza”, ndërtimi i kampusit mbetet sfida kryesore. Buxheti për vitin 2026 nuk parashikon mjetet për ndërtimin e Kampusit dhe është e paqartë nëse do të gjenden mjetet nga buxheti dhe nëse mund të fillojë ndërtimi, ashtu siç ishte premtuar. Qeveria miratoi vendimin për ndërtimin e kampusit Universitar Nënë Tereza më 3 shtator 2024 në vlerë prej 34.5 milion eurove. Në tetor të këtij viti, ish zv.kryeministri Mexhiti tha se Ministria e Transportit kishte miratuar kalimin e tokës në pronësi të Universitetit, me të cilën gjë, sipas tij, praktikisht fillon realizimi i projektit. Deri tani, UNT-së i janë lëshuar rreth 150 milionë denarë për fazën përgatitore të projektit, por që hynë në buxhetin e vitit 2025. Për më tepër, Universitetit Nënë Tereza madje i është shkurtuar buxheti prej 385 milion sa ka në vitin 2025, në 360 milion denarë për vitin 2026.
Pavarësisht sfidave financiare, profesori universitar Avzi Mustafa vlerëson se mungon bashkëpunimi mes universiteteve në vend. Sipas Mustafës, në një Maqedoni që po zbrazet, nuk ka kuptim të ekzistojnë 22 fakultete që ofrojnë të njëjtat drejtime.
“Në Maqedoni ka 15 universitete që janë private dhe 7 janë shtetërore dhe të gjitha ato bëjnë njëfarë plan programi për hapjen e Shkencave ekonomike, juridike e sociale. Unë shoh se nuk ka nevojë në një Maqedoni kaq të vogël të këtë 22 fakultete të Drejtësisë, Ekonomisë, Shkencave Sociale e të tjera. Do të ishte mir që të mos dublohen ato por të angazhohet që nji fakultet të ketë nji ose dy drejtime dhe në atë drejtim studentët do të aftësohen më tepër”, tha Avzi Mustafa, profesor.
Gjithashtu, Mustafa shton se pa një Ministri të Shkencës që do të favorizonte kërkimet shkencore, universitetet tona do të mbeten jashtë listave prestigjioze si ajo e Shangait. Siç tha Mustafa rangimi I universiteteve varet nga hulumtimet dhe jo nga numri i diplomave të shpërndara.
“Te ne mbetet ajo që të diskutohet në të ardhmen që t’u ipet sa më tepër mundësi që të bëjnë sepse universitetet e huaja rangojnë në listë më lartë në bazë të hulumtimeve shkencore. Derisa ne nuk aftësohemi që çdo profesor të ketë hulumtimet e veta ne nuk mund të arrijmë ndonjë sukses në rangimin e listave që ekzistojnë qoftë e Shangait apo të tjera”, shtoi Avzi Mustafa, profesor.
Në vitin 2015 ministri i Arsimit i asaj kohe, Abdylaqim Ademi, propozoi zyrtarisht nevojën për themelimin e një universiteti të ri shtetëror në Shkup për të plotësuar nevojat e studentëve shqiptarë. Më 24 Dhjetor 2015 Kuvendi miratoi Ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza”. në Tetor 2018 UNT hapi dyert për gjeneratën e parë të studentëve. Fillimisht, ligjëratat mbaheshin në hapësira të huazuara, në ambientet e Lidhjes së Sindikatave dhe shkollës fillore “Kongresi I Manastirit. Gjenerata e parë e studentëve numëroi 218 studentë. Rektori i parë u emërua Prof. Dr. Aziz Pollozhani. Për momentin ky institucion numëron mbi 3.500 studentë dhe funksionon në kuadër të ish kazermës Ilinden. /Alsat.mk
The post Në dekadën e parë të themelimit të Universiteti shtetëror “Nënë Tereza”, ndërtimi i kampusit mbetet sfida kryesore appeared first on Alsat.
