Pas ankesave të shumta nga pacientët, Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike kanë kryer kontrolle të përbashkëta në 49 klinika private gjinekologjike në të gjithë vendin. Sipas drejtorit të Fondit Shëndetësor, Sasho Klekovski, ky është aksioni i parë i këtillë që nga viti 2012 dhe i njëjti nuk është realizuar për 13 vite. Rezultatet e kontrolleve konfirmuan evazion të përhapur tatimor dhe dëmtim financiar të pacienteve, gjë që rezultoi me gjoba për një numër të madh të institucioneve private shëndetësore.

“Qëllimi i kontrolleve është verifikimi i përmbushjes së obligimeve kontraktuale mes Fondit dhe gjinekologëve amë, veçanërisht për nenin që përcakton: „Kontrollin, EKO, kolposkopia, marrja e tamponit për ekzaminim mikrobiologjik dhe citologjik (për testin PAP), si dhe të gjitha procedurat e tjera diagnostike dhe terapeutike sipas mjekësisë së bazuar në prova tek mjeku i zgjedhur, nuk paguhen”, tha Sasho Klekovski.

Drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhura Publike, Elena Petrova, njoftoi se kanë konstatuar se 20 institucione private gjinekologjike nuk kanë lëshuar fatura fiskale dhe për të njëjtët janë shqiptuar gjoba. Ajo bëri thirrje deri tek pacientët që të kërkojnë faturë fiskale për shërbimin e kryer.

“Edhe pse shërbimet shëndetësore janë të përjashtuara nga TVSH-ja, dhe shumica e këtyre institucioneve paguajnë një taksë simbolike vjetore prej 1% mbi të ardhurat totale ose janë tërësisht të përjashtuara, kjo nuk do të thotë se mosregjistrimi i qarkullimit nuk ka efekt tatimor. (ngjitje) Kjo praktikë minon sistemin, krijon avantazh të padrejtë në kurriz të atyre që veprojnë ligjërisht, dhe në një kontekst më të gjerë çon gradualisht në rritje të humbjeve të të ardhurave publike. DAP nuk do të tolerojë një sjellje të tillë, dhe do të vazhdojmë me kontrolle të forcuara dhe të koordinuara dhe masa të tjera”, deklaroi Elena Petrova.

Kontrollet u kryen në Shkup, Manastir, Prilep, Tetovë, Shtip dhe Strumicë. Gjithashtu gjatë konferencës për shtyp u njoftua se 417 mijë qytetarë nuk paguajnë sigurim shëndetësor. Ky disproporcion, sipas FSSH, krijon presion mbi qëndrueshmërinë e fondit, duke i detyruar autoritetet të kërkojnë burime shtesë të të ardhurave përmes rritjes së pjesëmarrjes nga përdoruesit aktivë.

Gjatë ditës së djeshme u njoftua që shërbimi shëndetësor për të cilin qytetarët që aktualisht paguajnë 40 denarë do të kushtojë 60 denarë nga 1 janari. Një ndryshim më drastik vërehet në ekzaminimet specialistike në spitalet shtetërore, ku çmimi kërcen nga 380 denarë në 720 denarë.