Kandidati për kryetar të komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, prezantoi mbreme planet e tij gjatë Konventës promovuese të koalicionit VLEN në Gostivar. Ai tha se synon të realizojë projekte të mëdha, përfshirë hapjen e një bulevardi nga rruga e Dibrës deri te Gjykata Themelore dhe ndërtimin e një ure të re me katër korsi.
Bejta paralajmëroi gjithashtu ndërtimin e rrugës që lidh fshatin Forinë me hyrjen e qytetit, për të lehtësuar trafikun gjatë sezonit veror.
Në ngjarje morën pjesë kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, zv/kryeministri i parë Bekim Sali, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, si dhe funksionarë të tjerë të VLEN-it. Konventa u zhvillua me fokus tek zhvillimi lokal dhe qeverisja e përgjegjshme në Gostivar.
