Gazetar: MIhajllo Donev
As Nadica Naunova, as Andrej Petrushev, e as 16-vjeçarja Dragana Minova nuk kishin djegie në trup kur prindërit i gjetën të vdekur në zjarrin e diskotekës së improvizuar “Puls” në Koçan. Kështu dëshmuan sot nënat e viktimave, duke përshkruar momentet tragjike kur mbrëmjen e 16 marsit u nisën drejt “Puls”, me shpresën se në diskotekën e paligjshme do t’i gjenin fëmijët e tyre të gjallë. Nëna e të ndjerës Nadica tregoi se si thyen murin, që fëmijët nga ana tjetër e diskotekës të mund të merrnin frymë. Fatkeqësisht, më vonë mësoi se vajza e saj nuk ishte mes të mbijetuarve.
“U ktheva para hyrjes dhe fillova të thyej, sepse e dija se nga ana tjetër ishin tualetet. Doja të bëja një vrimë në mur që t’u hynte ajër. Teksa thyeja, dikush më dha një vajzë, e tëra e nxirë, por gjallë. Ndërkohë, bashkëshorti hyri në diskotekë dhe e gjeti Nadicën të vdekur, para hyrjes”, tha Gabriella Naunova, Nëna e Nadica Naunovës.
Marija Petrusheva, e cila humbi djalin 24-vjeçar, tha se në momentin kur mbërriti para diskotekës pa shumë trupa. Të njëjtën pamje e pa më vonë edhe në spital.
“Nuk kuptonim çfarë po ndodhte. Ata fëmijë që ishin të shtrirë aty, nuk e kuptova se ishin të vdekur, mendova se ishin alivanosur nga tymi. I gjithë korridori ishte me fëmijë të shtrirë në dysheme, në stola, të nxirë dhe të pa-identifikueshëm, disa të djegur. Nuk mund të pajtoheshim se ata fëmijë ishin të vdekur. Doktori konstatoi vdekjen, unë nuk e pranoja”, u shpreh Marija Petrusheva, nëna e të ndjerit Andrej Petrushev.
Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve, Ognen Georgiev, inspektor ndërtimi i dyshuar, i pyeti prindërit përse, nëse donin që fëmijët e tyre të ishin gjallë, i kishin lënë të shkonin në diskotekë, kur e dinin se nuk kishin mbushur 18 vjeç. Në këtë, një numër i madh i prindërve reaguan me zemërim dhe e lanë sallën mes lotëve.
“Me marrjen në pyetje të pesë dëshmitarëve, të mbijetuar nga zjarri i tmerrshëm, gjykimi për rastin e Koçanit vazhdon më 14 janar”, raporton Mihajllo Donev, gazetar. /Alsat.mk
The post Me dëshmi tronditëse të prindërve, vazhdoi gjyqi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan appeared first on Alsat.
