Marrëdhëniet ekonomike dhe teknologjike mes Republikës Çeke dhe Maqedonisë së Veriut janë thelluar ndjeshëm gjatë vitit 2025. Sipas statistikave zyrtare çeke, këmbimi tregtar dypalësh në vitin 2024 ka arritur vlerën 625.9 milionë euro, niveli më i lartë i viteve të fundit. Bashkëpunimi u konfirmua edhe në mbledhjen e tretë të Komitetit të Përbashkët për bashkëpunim ekonomik, e mbajtur në Pragë, ku dy qeveritë riafirmuan interesin për forcimin e lidhjeve në energji, industri dhe teknologji. Gjatë vitit janë realizuar disa misione biznesi, veçanërisht në sektorin energjetik, industrinë teknologjike dhe sigurinë kibernetike, ku kompani çeke prezantuan zgjidhje moderne për institucionet dhe ndërmarrjet e Maqedonisë. Si hap konkret për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe turistike, nga 15 dhjetori 2025 nisi linja e drejtpërdrejtë ajrore Pragë-Shkup, me tre fluturime në javë.
