Në Budapest u nënshkrua Marrëveshja e huasë me Bankën Eksport-Import të Hungarisë, transmeton TV21. Siç informojnë nga Ministria e Financave, ministrja Gordana Dimitrieska-Koçoska nënshkroi marrëveshjen në emër të Qeverisë dhe në përputhje me Ligjin e Huamarrjes së Republikës së Maqedonisë me Hua nga Banka Eksport-Import të Hungarisë.

“Siguruam 500 milionë euro për përkrahjen e buxhetit, zhvillimit lokal përmes projekteve të komunave, si dhe për përkrahjen e ekonomisë. Kjo ishte shumë e nevojshme për ekonominë tonë, e cila në tremujorin e parë kishte aktivitet shumë të dobët ekonomik dhe kishte nevojë për masa që do të shkaktonin nxitje dhe përshpejtim të këtij aktiviteti”, ka theksuar ministrja e Financave pas nënshkrimit të marrëveshjes në fjalë./TV21