Që në fillim të vitit, liderët e Maqedonisë së Veriut e ripërsëritën angazhimin për anëtarësim në BE si prioritet strategjik. Megjithatë, bllokimi për shkak të moszbatimit të marrëveshjeve dypalëshe me Bullgarinë mbeti pengesa kryesore.
“Mesazhi im sot është të qëndroni në kurs dhe të merrni hapat e nevojshëm drejt hapjes së negociatave”, u shpreh Kala Kallas – përfaqësuese e lartë e BE-së për politikë të jashtme.
Kështu pati deklaruar në maj përfaqësuesja e lartë e BE-së Kallas, duke nënvizuar nevojën për “vendime historike” për anëtarësim në BE.
Edhe gjatë vjeshtës dhe dimrit, mesazhet nga Brukseli kanë qenë në atë frymë – mbështetje politike për integrim evropian, por pa mundësi reale për avancim për shkak të kontestit me Bullgarinë.
Ndër temat që dominuan politikën e jashtme të vitit 2025 ishte mosmarrëveshja e vazhdueshme me Bullgarinë mbi zbatimin e “konsensusit evropian” dhe kërkesat për ndryshime në Kushtetutë që përfshijnë minoritetin bullgar.
“Bullgaria do të vazhdojë ta respektojë atë që u dakordua në 2022. Ne nuk do të lëshojmë pe asnjë centimetër nga marrëveshja. Nuk do të ndalemi të përsëritim se respektimi i kërkesave europiane është diçka e domosdoshme për të arritur progres”, potencoi ministri i Jashtëm bullgar Georg Georgiev.
Kjo u pasua me një deklaratë tjetër më 28 qershor të ish-kryetares së Parlamentit bullgar Nataliia Kiselova, e cila tha se çështja nuk është dypalëshe, por pjesë e marrëveshjes me BE-në nga viti 2022 dhe se Bullgaria “do të ndihmojë” në fillimin e negociatave nëse Shkupi përmbush detyrimet.
Në anën e Maqedonisë së Veriut, zyrtarët vazhduan të kërkojnë garanci se kushtet kushtetuese do të jenë “të fundit” dhe nuk do të ketë kërkesa shtesë në të ardhmen, duke paraqitur këtë si një problem të drejtësisë dhe reciprocitetit. Kryeministri Mickoski kërkon një përparim të vërtetë në dialog.
“Duhet të ketë dorëzim në pjesën e garancisë nga vetë Bashkimi Evropian, duhet të ketë dorëzim nga fqinji ynë lindor në pjesën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare, respektimit të institucioneve evropiane, siç është Gjykata për të Drejtat e Njeriut, integrimin e komunitetit maqedonas brenda Këshillit Ministror për pakicat te fqinji ynë lindor, e kështu me radhë. Këto nuk janë kushte shtesë – kjo do të thotë partneritet, kjo do të thotë marrëdhënie të mira fqinjësore”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
E deri sa Qeveria ishte këmbëngulëse në atë që kërkonte, opozita kritikonte.
“Ky realitet është rezultat i politikave bllokuese, paaftësisë dhe mungesës së vullnetit të sinqertë nga qeveria aktuale, e cila as në plan nuk i ka ndryshimet kushtetuese që do të çlironin procesin eurointegrues të vendit”, tha Arbër Ademi nga BDI.
Po kjo mohohej nga pushteti.
“Qeveria është e fokusuar. Ndër prioritetet më të larta janë integrimet europiane”, u shpreh Izet Mexhiti më 20 shtator 2025.
Gjatë vitit 2025, Shkupi po ashtu theksoi rëndësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në fushën e sigurisë, stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit strategjik. SHBA-ja u shpreh qartë se mbështet vendin si një partner të rëndësishëm në Ballkan.
A janë lodhur njerëzit të dëgjojnë për ndryshimet kushtetuese dhe për këtë nuk dëgjojmë më për to?
-Nuk e di nëse nuk dëgjojnë më për to. Unë vazhdimisht dëgjoj për të njëjtat.
-Ashtu? Ndonjëri punon në ndryshimet kushtetuese?
-Po, jam e bindur 100% se punojnë në to.
-Do të thotë ju nuk pajtoheni me asnjë që thotë se kjo Qeveri ka mbyllur sytë ndaj ndryshimeve kushtetuese, se kjo Qeveri nuk po bën asgjë!
-Jo. E di se ata po punojnë fort në Bruksel dhe në kryeqytete të tjera evropiane”, potencoi Angela Aggeler – ambasadore e SHBA-ve në RMV më 26.11.2025
Në shumë takime dypalëshe, Uashingtoni theksoi rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike, luftës kundër korrupsionit dhe rolit të vendit si aleat stabil në NATO dhe partner pranë SHBA-s.
Në pranverë të vitit 2025, ministri i Jashtëm Timço Mucunski hodhi paralajmërime se një bllokim i zgjatur i procesit të integrimit mund të krijojë hapësirë për ndikime të palës së tretë, sidomos nga Rusia, dhe se besueshmëria e procesit evropian është në lojë.
“Ndonjëherë dua të theksoj hapur se ndikimi rus, veçanërisht në rajonin tonë, vjen shumë lirë dhe ata dinë se si ta shfrytëzojnë atë”, theksoi Timço Mucunski – ministër i Jashtëm.
“Lufta në Ukrainë është agresion rus dhe të gjithë ne jemi pjesë e atij kërcënimi”, deklaroi më 18 qershor 2025 Orhan Murtezani.
Këto deklarata lidhen me shqetësimet rreth ndikimit gjeopolitik në Ballkan nëse procesi evropian ngecet tej mase.
Në fund të vitit, nuk pati hapje kapitujsh të negociatave të pranimit në BE. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ritheksoi synimin e saj për të qenë pjesë e BE-s, por gjithashtu insistoi tek nevoja për respektimin e identitetit kombëtar dhe kërkoi që kushtet e arritura të jenë të fundit dhe të pa-shtyra.
Kështu edhe në 2025-tën situata mbeti e njëjtë – negociatat e anëtarësimit në BE janë bllokuar për shkak të kontestit me Bullgarinë dhe zyrtarët e vendit vazhdojnë të kërkojnë dialog dhe zgjidhje diplomatike për të çuar përpara aspiratat evropiane.
