Pjesë të Australisë përballen me valë të nxehtësisë që po godet shumicën e vendit. Paralajmërime për vala të nxehtësisë nga serioze deri në ekstreme janë në fuqi në pothuajse çdo shtet dhe territor përveç Queenslandit, dhe parashikohen temperatura të larta për ditët e ardhshme, raporton BBC.

Në shtetin Victoria është shpallur ndalim total për ndezjen e zjarrit për ditën e premte. Rreziku nga zjarret është ngritur në nivelin “katastrofal” – niveli më i lartë i mundshëm – dhe 450 shkolla dhe çerdhe në zonat veriore janë mbyllur, po ashtu edhe parqet.

Zjarrfikësit në Victoria ende po luftojnë me zjarrin në Longwood që shpërtheu të mërkurën, ndërsa të enjten menaxhuan disa zjarre në New South Wales.

Melburni regjistroi ditën e tij më të nxehtë në gjashtë vitet e fundit me 40.9°C të mërkurën, ndërsa në disa qytete bregdetare në Western Australia temperaturat arritën deri në 49°C.

Kulmi i valës së nxehtësisë në New South Wales pritet të jetë të shtunën, kur Sydney mund të përballet me temperatura prej 42°C. Në ditët e ardhshme, temperatura mbi 40°C do të regjistrohen edhe në pjesë të Southern dhe Western Australia.

Meteorologu Angus Haines nga Biroja Meteorologjike tha për BBC se e premtja do të jetë “kulmi i vërtetë i valës aktuale të nxehtësisë”.

“Kjo duket si ngjarja më e rëndësishme disa-ditore për brendësinë e juglindjes së Australisë për vitin 2019-20,” tha Haines, duke iu referuar periudhës së njohur si “Vera e Zezë” kur Australia përjetoi sezonin më të keq të zjarreve në histori para gjashtë vitesh. Ai shpjegoi se kombinimi i erërave të forta dhe mundësisë së bubullimave me shkëndija të thata do ta rrisë rrezikun e zjarreve në nivel katastrofal.

Qeveria e Victoria-s paralajmëroi se niveli katastrofal i rrezikut nga zjarri do të thotë se zjarret potenciale mund të jenë “të paparashikueshme dhe jashtë kontrollit”.

“Na duhet që komuniteti të luajë rolin e tij së bashku me shërbimet e emergjencës për të mbrojtur jetët dhe pronat,” tha komisioneri i emergjencave në Victoria, Tim Wiebusch.

“Përgatituni tani dhe aktivizoni planin tuaj për mbijetesë nga zjarri. Nëse jeni në një zonë me parashikim për rrezik katastrofal zjarri, zhvendosuni herët në një zonë me rrezik më të ulët.”

Shkalla e rrezikut nga zjarri në Australi ka katër nivele, ku katastrofali është më i larti. Valët e nxehtësisë shpallen kur pritet që temperaturat minimale dhe maksimale të jenë jashtëzakonisht të larta për tre ose më shumë ditë radhazi.