Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të ofrojnë 45 milionë dollarë ndihmë financiare për Tajlandën dhe Kamboxhian, me qëllim forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit rajonal në Azinë Juglindore. Njoftimi u bë të premten nga një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit, Michael DeSombre, e bëri të ditur vendimin gjatë një konference online për media në Bangkok, ku po zhvillon takime me zyrtarë të lartë tajlandezë për zbatimin e armëpushimit të arritur në tetor të vitit të kaluar, i njohur si Marrëveshja e Paqes e Kuala Lumpurit.
DeSombre theksoi se rivendosja e paqes përgjatë kufirit mes Tajlandës dhe Kamboxhias krijon mundësi të reja për bashkëpunim më të thellë mes Shteteve të Bashkuara dhe dy vendeve të rajonit.
“Rivendosja e paqes në kufirin tajlandezo-kamboxhian hap mundësi të reja për Shtetet e Bashkuara për të thelluar punën tonë me të dy vendet, për të promovuar stabilitetin rajonal dhe për të avancuar interesat tona në një Indo-Paqësor më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë,” deklaroi ai.
Zyrtari amerikan bëri të ditur se të shtunën do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të lartë të qeverisë kamboxhiane në kryeqytetin Phnom Penh, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal.
