Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit për LDK-në s’mund të anashkalohet dhe duhet reflektim e përgjegjësi politike.

Sipas tij, dorëheqje nuk është dobësi por pjekuri politike.

Në reagimin e tij në Facebook, Veliu thotë se LDK-së i duhen fitues në ekipin e saj, e jo kandidat të përhershëm.

Postimi i plotë:

Të dashur anëtarë, simpatizantë dhe qytetarë,

Rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit për Lidhjen Demokratike të Kosovës është një sinjal i qartë që nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohet.

Ky është një mesazh nga qytetarët dhe mesazhe të tilla kërkojnë reflektim të thellë dhe përgjegjësi politike.
Si kontribues i LDK-së, ndjej obligim moral dhe politik të them se humbjet e rënda nuk mund të relativizohen, as të kalohen me heshtje.

Në demokraci, përgjegjësia është parakusht për besim, ndërsa dorëheqja nuk është dobësi, por akt force dhe pjekurie politike.

Prandaj: dera është e hapur!

LDK, sot nuk ka nevojë për justifikime (në studio televizive), por për:

• analizë të menjëhershme të shkaqeve të humbjes,

• hapje të brendshme dhe demokraci funksionale,

• dhe për një proces të ri zgjedhor në të gjitha nivelet që i jep shpresë anëtarësisë dhe elektoratit.

Vetëm duke hapur rrugë për ndryshim mund ta rikthejmë besimin e humbur dhe të përgatitemi për sfidat e ardhshme.

Koha kërkon vendime të guximshme, jo mbrojtje asaj që nuk mbrohet, jo mbajtje të status quo-së.

LDK-së i duhen fitues në ekipin e saj, e jo kandidat të përhershëm!

Zoti e bekoftë LDK-në.