Ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA, Lord Peter Mandelson ka deklaruar se presidenti i SHBA-së, Donald Trump nuk do të zbarkojë në Groenlandë dhe ta marrë atë me forcë.
Mandelson i tha BBC-së se e admiron Trumpin që është i drejtpërdrejtë në bisedimet politike. Ai më tej theksoi se Trump nuk është budalla dhe këshilltarët ia kujtojnë se marrja e Groenlandës mund të përbënte rrezik të vërtetë për interesin kombëtar të SHBA-së.
“Të gjithë do të duhet të zgjohemi ndaj realitetit se Arktiku ka nevojë të sigurohet kundër Kinës dhe Rusisë. Dhe nëse më pyetni se kush do të udhëheqë në këtë përpjekje për ta siguruar, të gjithë e dimë, apo jo, se do të jenë Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.
Gjatë mandatit të dytë të Trumpit, ka pasur një fokus gjithnjë e më të madh mbi mënyrën se si drejtohet territori gjysmë-autonom danez. Danimarka dhe Groenlanda thonë se territori nuk është në shitje, me Danimarkën që paralajmëron se veprimi ushtarak do të shënonte fundin e aleancës ushtarake të NATO-s.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, do të zhvillojë bisedime me Danimarkën në lidhje me Groenlandën javën e ardhshme.
Trump ka pohuar vazhdimisht se Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke pretenduar pa prova se ishte e mbuluar me anije ruse dhe kineze kudo.
Fokusi i tij në territor u rikthye pas një sulmi në kryeqytetin venezuelian, Karakas, javën e kaluar ku u kapën presidenti Nicolas Maduro dhe gruaja e tij dhe u vranë dhjetëra njerëz.
