Ministria e Shëndetësisë njofton se projektligji për mbrojtje nga duhani është publikuar në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (REKRR), ku të gjithë qytetarët dhe organizatat e interesuara mund të marrin pjesë në debatin publik para miratimit të tij.

“Me këtë ligj hapim një çështje thelbësore që prek drejtpërdrejt shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Faktet janë të qarta dhe të pakontestueshme – duhani dhe nikotina mbeten shkaku kryesor i vdekjeve të parakohshme, ekspozimi ndaj tymit dhe aerosoleve dëmton edhe ata që nuk kanë zgjedhur të pijnë duhan, ndërsa produktet e reja të nikotinës, aromat, marketingu agresiv dhe promovimi digjital janë të drejtuara pikërisht ndaj të rinjve. Prandaj, Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur një Ligj të ri për mbrojtje nga duhani, qëllimi i të cilit nuk është ndëshkimi, por parandalimi, shëndeti publik dhe mbrojtja e kategorive më të cenueshme të qytetarëve”, vlerëson ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Nga MSH thonë se qëllimi i ndryshimeve të reja ligjore është vendosja e kontrollit mbi paraqitjen dhe përhapjen e produkteve të reja të duhanit dhe nikotinës, veçanërisht mbi promovimin e tyre agresiv dhe qasjen e lehtë.

Njëkohësisht, parashihet ndalim i plotë i reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit, kufizim i shitjes dhe ekspozimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës, si masa parandaluese për mbështetjen e lënies së varësisë, si dhe forcimi i ndalimit të pirjes së duhanit në hapësirat publike dhe të punës.

“Me këtë ligj dërgojmë një mesazh të qartë se shëndeti është vlerë më e lartë se çdo interes komercial, se shëndeti i fëmijëve nuk mund të jetë objekt përfitimi dhe se hapësira publike duhet të jetë një hapësirë e sigurt”.

“Gjithashtu, zgjidhja ligjore është e harmonizuar me rregullativën evropiane dhe me detyrimet ndërkombëtare që shteti ka marrë përsipër, përfshirë parimet e Konventës Kornizë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

The post Aliu për projektligjin për mbrojtje nga duhani: Debat publik para miratimit appeared first on Alsat.