Gazetar: Avni Tahiri
Pas reshjeve të dendura situata në shumicën e rajoneve është stabilizuar. Nivelet e lumenjve janë në rënie dhe nuk ka rrezik për përmbytje serioze. Situata në Manastir, Krushevë dhe Resnjë është normalizuar, ndërsa disa sipërfaqe bujqësore në Demir Hisar mbeten të përmbytura dhe një urë lokale në fshatin Mrenogë është e dëmtuar. Në Ohër nuk ka përmbytje, ndërsa në Strugë në disa oborre dhe fusha, uji po tërhiqet gradualisht.
Në Kërçovë, pastrimi i pasojave të përmbytjeve vazhdon edhe sot ndërsa janë angazhuar edhe rreth 30 punonjës të armatës. Sipas komunës së Kërçovës, një pjesë e personave të evakuuar po kthehen në shtëpitë e tyre ndërsa nga dita e nesërme fillon faza e vlerësimit të dëmeve materiale dhe më pas të bëhet edhe kompensimi.
“Situata e përgjithshme është nën kontroll. Një pjesë e personave të prekur nga përmbytjet po kthehen në shtëpitë e tyre. Sot në mëngjes morëm ndihmë edhe nga ushtria për pastrimin e rrugëve të përmbytura. Personave të strehuar u sigurohen rregullisht vakte të ngrohta, dhe do t’u dhurohen dyshekë dhe batanije. Nga dita e nesërme kalojmë në fazën e dytë me vlerësimin e dëmeve dhe blerjen e mobiljeve më të nevojshme”, njoftojnë nga Komuna e Kërçovës.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza njoftojnë se për momentin situata është stabile edhe në qytetet e tjera të vendit ndërsa vazhdon pastrimi i dëmeve.
“Në Manastir gjendja është normalizuar dhe ekipet po punojnë në sanimin e rrugëve të dëmtuara. Në Komunën e Demir Hisarit, uji është tërhequr në shtratin e lumenjve, por kanë mbetur të përmbytura sipërfaqe bujqësore në disa fshatra. Në Ohër nuk ka objekte të përmbytura dhe nivelet e ujit janë ulur. Në Strugë janë evidentuar oborre dhe sipërfaqe bujqësore të përmbytura në fshatrat Misleshevë dhe Kalishtë, ndërsa uji gradualisht po tërhiqet. Në Dibër dhe Qendër Zhupë, gjendja është e rregullt, me paraqitje rrëshqitjesh që po pastrohen. Në Kërçovë gjendja është stabile, nivelet e lumenjve janë në rënie dhe po vazhdon pastrimi i pasojave nga përmbytjet me angazhimin e shërbimeve komunale. Në rajonin e Pollogut, të gjitha rrugët në Tetovë dhe Gostivar janë të kalueshme, furnizimi me energji elektrike është i rregullt”, thonë nga Qendra Për Menaxhim me Kriza.
Sa i përket uljes së temperaturave, sipas sinoptikeve, territori i Maqedonisë së Veriut ndodhet nën ndikimin e Anticiklonit Siberian, me presion të lartë ajror dhe masa ajrore shumë të ftohta. Temperaturat e mëngjesit në ditën e nesërme pritet të ulen deri në -14 gradë, ndërsa në zonat malore deri në ose nën -20 gradë. Për shkak të të ftohtit ekstrem pritet paraqitje e akullit në rrugë dhe ngrica të forta, ndaj nga autoritetet kërkohet kujdes i shtuar nga drejtuesit e mjeteve, veçanërisht në zonat malore. /Alsat.mk
The post QMK: Pas reshjeve të dendura, situata në shumicën e rajoneve është normalizuar appeared first on Alsat.
