Qeveria e Grenlandës ka deklaruar se nuk mund të pranojë në asnjë rrethanë marrjen nën kontroll të territorit nga Shtetet e Bashkuara.

Ajo theksoi se Grenlanda është pjesë e mbretërisë së Danimarkës dhe si pjesë e bashkësisë daneze, është gjithashtu anëtare e NATO-s. Qeveria njoftoi se do të rrisë përpjekjet për të siguruar që mbrojtja e territorit të zhvillohet brenda kornizës së NATO-s, raporton prestigjozja The Guardian.

Në deklaratë thuhet po ashtu se koalicioni qeverisës beson se Grenlanda do të mbetet përherë pjesë e aleancës perëndimore të mbrojtjes dhe se të gjitha shtetet anëtare të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë një interes të përbashkët në mbrojtjen e ishullit.

Qeveria e Grenlandës theksoi se territori nuk është për shitje dhe se çështjet që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen duhet të trajtohen përmes bashkëpunimit dhe strukturave ekzistuese ndërkombëtare.

Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, ministrja e jashtme e Grenlandës, Vivian Motzfeldt, dhe homologu i saj danez, Lars Løkke Rasmussen, pritet të takohen me sekretarin amerikan të shtetit, Marco Rubio, në washington të mërkurën.

Në fillim të një jave kritike për ishullin e madh arktik, i cili është kryesisht vetëqeverisës dhe pjesë e Danimarkës, presidenti amerikan përsëriti interesin e tij për territorin strategjik dhe të pasur me minerale, duke thënë se SHBA do ta merrte atë “në një mënyrë apo në një tjetër”.

Presidenti amerikan ka tronditur BE-në dhe NATO-n duke mos përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për të marrë Grenlandën, e cila mbulohet nga shumë prej mbrojtjeve të tyre, pasi Danimarka është anëtare e të dyja organizatave.

Trump ka thënë se SHBA ka nevojë të kontrollojë Grenlandën për të rritur sigurinë në Arktik përballë një kërcënimi të supozuar nga Kina dhe Rusia. Rutte tha të hënën se NATO po “punon për hapat e ardhshëm për t’u siguruar që ne kolektivisht mbrojmë atë që është në rrezik”.

Duke folur gjatë një vizite në Kroaci, sekretari i përgjithshëm i aleancës tha se “Të gjithë aleatët bien dakord për rëndësinë e Arktikut dhe sigurisë arktike, sepse e dimë se me hapjen e rrugëve detare ekziston rreziku që rusët dhe kinezët të bëhen më aktivë.”

Komisioneri i BE-së për mbrojtjen, Andrius Kubilius, tha të hënën se do të ishte fundi i NATO-s nëse SHBA do të përdorte forcën ushtarake për të marrë Grenlandën, duke shtuar se shtetet e BE-së do të ishin të detyruara të ndihmonin Danimarkën nëse ajo do të përballej me agresion.

“Jam dakord me kryeministren daneze se do të ishte fundi i NATO-s,” i tha Kubilius Reuters-it në një konferencë në Suedi.

Ai tha po ashtu se neni 42.7 i traktatit të BE-së, klauzola e ndihmës së ndërsjellë, do t’i detyronte anëtarët të vepronin në rast sulmi.

“Kjo do të varet shumë nga Danimarka, se si do të reagojë dhe cili do të jetë qëndrimi i saj. Por padyshim ekziston një detyrim i shteteve anëtare për të ofruar ndihmë të ndërsjellë nëse një shtet anëtar përballet me agresion ushtarak”, tha ai.

Ky nen është aktivizuar vetëm një herë deri më tani, kur Franca kërkoi ndihmë pas sulmit terrorist në Bataclan në vitin 2015, dhe ekspertët kanë vënë në dyshim nëse Grenlanda, e cila është jashtë BE-së, do të kualifikohej pa një ndryshim në rendin ligjor të BE-së.

E ndërkohë ish-zëvendëskancelari gjerman Robert Habeck sugjeroi që Grenlandës t’i ofrohej anëtarësimi në BE për të zmbrapsur interesin amerikan për territorin. Duke shkruar në Guardian, Habeck bëri thirrje për një propozim “pragmatik dhe të fazuar”.

“Kjo duhet të jetë koha për t’i ofruar në mënyrë eksplicite anëtarësimin në BE Grenlandës, dhe për rrjedhojë Ishujve Faroe, Islandës dhe Norvegjisë,” shkroi ai në një artikull së bashku me Andreas Raspotnik nga Universiteti Nord në Norvegji.

Grenlanda u tërhoq nga ajo që atëherë quhej Komuniteti Evropian në vitin 1985, pasi fitoi vetëqeverisjen nga Danimarka në vitin 1979.