Gazetar: Zekirija Haxhiu

Një ditë para mbajtjes së takimit të liderëve, jo të gjitha partitë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. LSDM kategorikisht është kundër këtij takimi ndërsa nga e Majta kanë vendosur të paraqiten por me kërkesa konkrete: vendosjen e një zone zgjedhore dhe sigurimin e qasjes së barabartë mediatike për të gjitha subjektet politike.

Koalicioni VLEN gjithashtu e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim. Duke pasur parasysh se temë e takimit është shfuqizimi i qeverisë teknike 100 ditë para zgjedhjeve, Bekim Qoku njëri ndër pjesëmarrësit në takim bashkë me Bilall Kasamin tha sot se Qeveria teknike ishte formuar kur atë e udhëhiqnin siç u shpreh ai figura kriminele.

“Ishte koha kur vendi ishte në modus krize, krizë që u shkaktua nga qeveria e Mijallkovit e Gruevskit, bashkë me BDI-në e Ali Ahmetit, Musa Xhaferit e Blerim Bexhetit. Këta figura dhe kjo krizë nuk është më dhe administrata është e aftë që të organizojë zgjedhje kredibile dhe të rregullta dhe këtë e dëshmoi”, tha Bekim Qoku – Koordinator i g.p VLEN.

Për pjesëmarrjen apo jo në takim të kreut të BDI-së Ali Ahmeti vendos sot Këshilli i Përgjithshëm i partisë. Siç kanë paralajmëruar deri tani nga kjo parti, kërkesa e tyre mund të jetë që të vendoset “badenter” gjatë formimit të qeverisë por edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Kreu i Kuvendit Afrim Gashi, së fundmi tha se një vendi të NATO-s nuk i ka hije që të ketë qeveri teknike vetëm për të organizuar zgjedhje duke shtuar se nuk mbështetë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo ndërkohë kërkohet fuqishëm nga opozita duke dhënë si muajin maj ose tetor si mundësi për realizimin e tyre.

Andrej Stojkovski nga Instituti Prespa, në intervistë për Alsat tha se megjithatë shteti nuk duhet të heqë dorë nga qeveria teknike sepse pikërisht kjo parandalon grabitje të plotë të shtetit.

“Mendoj se nuk duhet aq lehtë të heqim dorë nga qeveria teknike. Fillimisht duhet të jetë garanci për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve, pra procesin demokratik të zgjedhjeve me qëllim mos lejimin për grabitje të plotë të shtetit por gjithashtu duhet edhe të na mësojë si funksionon një institucion në një shtet normal. Pra ato ministra dhe zv.ministra shtesë që vijnë duhet të funksionojnë për nevojat e shtetit dhe procesit zgjedhor e jo për nevojat personale dhe të partisë. Nuk duhet as të mendohet për shfuqizim të qeverisë teknike”, u shpreh Andrej Stojkovski – Instituti “Prespa”.

Për shfuqizimin e qeverisë teknike nevojitet shumicë e thjeshtë prej 61 votave. Kryeministri Mickoski paralajmëroi se në takim do të diskutohet dhe për zgjedhjen e avokatit të popullit, për kodin zgjedhor, për ligjin për Prokurori Publike, për shërbimet gjyqësore si dhe ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publik. Do të diskutohet edhe për ligjet për të cilat nevojitet shumicë e badenterit e të cilat kanë ngecur në Kuvend./ Alsat.mk

The post Takimi i liderëve në pikëpyetje: LSDM kundër, VLEN konfirmon përfaqësuesit, vendimi i Ahmetit pritet nga Këshilli i Përgjithshëm appeared first on Alsat.