Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin “veprime shumë të forta” nëse raportimet se Irani planifikon të ekzekutojë protestues rezultojnë të sakta.
“Nuk kam dëgjuar për varjet. Nëse i varin, do të shihni disa gjëra Ne do të ndërmarrim veprime shumë të forta nëse bëjnë diçka të tillë”, tha Trump në një intervistë për “CBS News”.
I pyetur për “qëllimin përfundimtar” të tij ndaj Iranit, Trump u përgjigj: “Qëllimi përfundimtar është të fitojmë. Më pëlqen të fitoj”.
Komentet e Trumpit erdhën pasi ai u pyet për deklaratat që kishte publikuar më herët në rrjetin e tij social “Truth Social”, ku shkruante: “Ndihma është duke ardhur”.
“Po, ka shumë ndihmë që po vjen, dhe në forma të ndryshme, përfshirë ndihmë ekonomike Ne e nxorëm Iranin jashtë loje sa u përket kapaciteteve të tij bërthamore”, tha ai, duke iu referuar sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor të vitit të kaluar.
Duke theksuar mungesën e shifrave të sakta për viktimat nga protestat në Iran, Trump tha: “Askush nuk ka qenë në gjendje të na japë shifra të sakta se sa njerëz kanë vrarë”.
“E dini, nëse duan të kenë protesta, kjo është një gjë; por kur fillojnë të vrasin mijëra njerëz, dhe tani po më flisni për varje, do të shohim si do t’u shkojë kjo. Nuk do t’u shkojë mirë”, shtoi ai.
Duke cituar organizata joqeveritare iraniane me bazë në SHBA dhe Norvegji, transmetuesi amerikan “Fox News” raportoi të hënën se familja e protestuesit të arrestuar Erfan Soltani është informuar se 26-vjeçari është “dënuar me vdekje” dhe se dënimi pritet të ekzekutohet të mërkurën.
