Aktori amerikan Timothy Busfield, fitues i çmimit “Emmy”, është paraqitur për herë të parë në gjykatë në shtetin e New Mexicos, ku prokurorët prezantuan një akuzë të re për abuzim seksual.
Busfield, 68 vjeç, akuzohet për dy vepra penale të kontaktit seksual me të mitur dhe një akuzë për abuzim ndaj fëmijëve. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se ka prekur në mënyrë të papërshtatshme dy aktorë fëmijë gjatë kohës që punonte si regjisor dhe producent ekzekutiv në serialin “The Cleaning Lady”, i xhiruar në Albuquerque, ka raportuar The Los Angeles Times.
Aktualisht, ai po mbahet në burg, në pritje të një seance ku do të vendoset nëse do të lirohet para gjykimit.
Në kërkesën për paraburgim, prokurorët thanë se Busfield përfaqëson rrezik dhe përmendën atë që e quajtën “një model të vazhdueshëm sjelljeje grabitqare”, që sipas tyre daton që nga viti 1994. Në atë kohë, një vajzë 17-vjeçare e kishte akuzuar për sulm seksual gjatë xhirimeve të filmit “Little Big League”. Rasti ishte zgjidhur më vonë jashtë gjykate.
Akuza më e fundit u raportua nga një burrë me emrin Colin Swift, i cili deklaroi se Busfield kishte abuzuar seksualisht me vajzën e tij 16-vjeçare gjatë një audicioni në teatrin B Street Theatre në Sacramento, rreth 25 vjet më parë.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Swift pretendon se Busfield i kishte kërkuar familjes që të mos e raportonin rastin në polici, duke premtuar se do të kërkonte terapi. Për këtë rast nuk janë ngritur akuza penale.
Prokurorët thonë se sjellja e aktorit “reflekton një model të qëllimshëm manipulimi, mungesë kufijsh dhe shfrytëzim të autoritetit profesional për të pasur qasje te të miturit”. Ata shtuan se disa dëshmitarë kanë frikë të flasin, nga shqetësimi për hakmarrje ose dëmtimi i karrierës së tyre.
Avokati i Busfield, Stanton “Larry” Stein, ka deklaruar më herët se klienti i tij është i pafajshëm dhe “është i vendosur ta pastrojë emrin e tij”.
Ai ka sugjeruar gjithashtu se nëna e dy fëmijëve në rastin e New Mexicos mund të ketë vepruar për “hakmarrje”, pasi fëmijët e saj nuk ishin rikthyer për sezonin e fundit të serialit.
Busfield u vetëdorëzua të martën e kaluar, disa ditë pasi ishte lëshuar urdhër-arresti. Prokurorët pretendojnë se ai udhëtoi nga New Yorku drejt New Mexicos për të shmangur procedurën e ekstradimit dhe për t’u dorëzuar në një moment më të favorshëm për të.
Para se të dorëzohej, aktori publikoi një video ku mohoi akuzat.
“Do t’i përballoj këto gënjeshtra. Janë të tmerrshme”, ka thënë ai në videon e publikuar nga TMZ.
Prokurorët e cilësuan këtë veprim si shqetësues, duke thënë se tregon “dëshirë për të kontrolluar narrativën publike dhe marrëdhëniet me median”, në vend që të respektojë procesin gjyqësor.
Seanca ku do të vendoset nëse Busfield do të mbetet në burg pritet të mbahet brenda pesë ditëve të ardhshme në Gjykatën e Qarkut Bernalillo në Albuquerque.
The post Timothy Busfield paraqitet në gjykatë, i shtohen akuzat për abuzime seksuale appeared first on Alsat.
