Gazetare Melihate Rustemi
Gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor nis të martën, më 20 janar. Ministrja e Arsimit Vesna Janevska tha se vendimi për mos të shtyrë nisjen e gjysmëvjetorit vjen pas deklaratave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik. Ajo u bëri thirrje prindërve dhe nxënësve që ta marrin me seriozitet maksimal pjesëmarrjen në mësim, pasi sipas saj, rregullshmëria në mësim sjell rezultatet më të mira në të gjitha nivelet.
“Apeloj të ndërpritet praktika e arsyetimit të orëve dhe të mos u lejohen fëmijëve pushime gjatë vitit shkollor. Fëmijët duhet të jenë në shkollë nga dita e parë deri në ditën e fundit, përveç rasteve kur shteti, për shkak të ndonjë force madhore, vendos që kjo nuk duhet të ndodhë”- Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Ky gjysmëvjetor nis në një periudhë ku viruset sezonale janë mjaft aktive, prandaj higjiena nëpër shkolla është kthyer në prioritet kryesor për të garantuar shëndetin e fëmijëve. Në shkollën ‘Imri Elezi’ në Çair drejtoria ka marrë masa që çdo cep i objektit të jetë i dezinfektuar përpara se të martën të hapen dyert për rreth 1000 nxënësit e kësaj shkolle.”
“Deri të martën shpresoj do të jetë gjithçka në rregull, me pastërti maksimale sidomos do ti kushtojmë në veçanti kujdes çështjes së viruseve dhe gripeve, do të vendosim dezinfektues në kënde të ndryshme të shkollës. Sikurse ne personalisht I kushtojmë kujdes shtëpisë tonë ashtu I kushtojmë kujdes edhe shkollës shkaku se ne…i llogarisim si fëmijët tanë pavarësisht se janë afër 1000 mijë nxënës, ashtu edhe I trajtojmë si fëmijët tanë prandaj kemi dëshirë çdo herë të jetë pastër” – Lulzime Islami, Drejtoreshë e Shkollës fillore “Imri Elezi”.
Përveç higjienës, një tjetër çështje që mbetet në qendër të vëmendjes është furnizimi me tekstet që mungojnë. Ndërsa klasat që ndjekin konceptin e ri arsimor janë të kompletuara, në klasat e teta dhe të nënta vazhdon të ketë mungesa të pjesshme, kryesisht në lëndët e gjuhëve.”
“Kemi por nuk është numri shumë I lartë që mungojnë tekste. Sidomos, me konceptin e ri tashmë janë furnizuar nxënësit me të gjitha librat. Cilat tekste ka qenë mungesë dhe është dashur të kopjohen? Zakonisht të klasave të teta dhe të nënta që me viteme radhë I kanë shfrytëzuar nxënësit…ka mungesë të librave të gjuhës maqedone por jo shumë, gjuhë shqipe”- Lulzime Islami, Drejtoreshë e Shkollës fillore “Imri Elezi”.
Shkolla në fjalë shfrytëzoi pushimin dimëror për zgjerimin dhe rikonstruimin e klasave të caktuara me qëllim që nxënësve t’u mundësohen kushte më të mira për mësim. Ngrohja në këtë shkollë është siguruar deri në fund te sezonit të ngrohjes./Alsat.mk
The post Përkundër rritjes së numrit të fëmijëve të prekur me grip, gjysmëvejtori i dytë nuk do të shtyhet appeared first on Alsat.
