
INFORMACION PËR PUBLIKUN nga Parku Kombëtar Mali Sharr
Në kuadër të kompetencave të tij ligjore, përveç aktiviteteve të tjera, Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr tashmë për të katërtin vit me radhë punon në mënyrë të vazhdueshme në rregullimin e veprimtarisë së skijimit me makina ratrak jashtë qendrës së skijimit Kodra e Diellit. Ushtrimi i kësaj veprimtarie është paraparë me Planin e menaxhimit të Parkut dhe duhet të zhvillohet në mënyrë rreptësisht të rregulluar, sipas rregullave të përcaktuara në planin për lëvizjen e mjeteve motorike. Për këtë qëllim, IPPK Mali Sharr, si institucion i themeluar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka miratuar një sërë vendimesh dhe aktesh që operatori – ushtrues i veprimtarisë është i detyruar t’i respektojë.
Në aksionin e djeshëm, personat zyrtarë të institucionit vepruan ekskluzivisht brenda kompetencave të tyre zyrtare, me qëllim kontrollin e zbatimit të ligjeve, mbrojtjen e pasurisë kombëtare të shtetit dhe vlerave natyrore të Malit Sharr. Prandaj, ngjarja e pakëndshme ndaj punonjësve të Institucionit Publik, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, përbën sulm ndaj shtetit, rendit juridik dhe ndikon drejtpërdrejt në integritetin e institucionit, si dhe të çdo punonjësi të tij.
Gjatë ngjarjes së djeshme, përveç Drejtorit të Parkut Kombëtar, Udhëheqësit të Departamentit për mbrojtjen e natyrës dhe rojtarëve të natyrës, në vendin e ngjarjes ishin të pranishëm persona të angazhuar nga operatori, sigurim privat, pronari i hotelit Arena dhe rreth pesëdhjetë turistë. Një pjesë e personave të pranishëm, të angazhuar nga operatori, hynë në situata konfliktuale me punonjësit tanë, duke penguar punën e tyre si persona zyrtarë, duke cenuar dinjitetin e tyre personal dhe duke vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e tyre.
Për shkak të eskalimit të situatës, një person i punësuar në institucion, në orën 09:15, nga vendi i ngjarjes, bëri thirrje për mbështetje policore në numrin 112. Theksojmë se të gjitha thirrjet në numrin 112 regjistrohen dhe ky fakt mund të konfirmohet lehtësisht.
Pas kërkesës sonë për ndihmë, nuk u ndërmorën masa ndaj kryerësve, as nuk u pengua përdorimi i mëtejshëm i mjeteve. Të pranishmit e braktisën vendin me thirrje dhe fyerje. Për shkak të seriozitetit të ngjarjes, menjëherë pas përfundimit të saj u drejtuam në Stacionin Policor në Tetovë dhe paraqitëm kallëzimin përkatës. Konsiderojmë se ligjshmëria e veprimeve në terren duhet të jetë objekt i një hetimi shtesë dhe të thelluar.
Gjatë dhënies së deklaratës në SP Tetovë, në orën 13:26, në llogarinë e IPPK Mali Sharr mbërriti një pagesë prej 300.000 denarësh nga restoranti “Arena”, me qëllim të shënuar të pagesës: “Avans për kompensim për ushtrimin e veprimtarisë me ratrak në rrugë të regjistruar”. Restoranti “Arena” nuk është operator dhe me të IPPK Mali Sharr nuk ka kontratë për ushtrimin e kësaj veprimtarie dhe nuk mund ta ushtrojë veprimtarinë pasi nuk posedon licencat përkatëse për turizëm hyrës. Mjetet janë paguar pa faturë paraprake ose pa kërkesë për pagesë nga ana e institucionit dhe do të kthehen në ditën e parë të ardhshme të punës. Për rastin është njoftuar edhe Sektori për Krim Ekonomik.
