Në rrugët dhe bulevardet e Tetovës ende nuk ka shenja paralajmëruese për radarët dhe kamerat për matjen e shpejtësisë, të cilat janë parakusht për funksionimin e aparaturës dhe dënimin e vozitësve. Shpesh, madje, edhe sinjalizimi vertikal është jashtë funksionit.

Nga Komuna e Tetovës bëjnë të ditur se tenderi për furnizimin me sinjalizimin horizontal dhe vertikal është mbyllur dhe është përzgjedhur kompania, kurse për këtë destinim nga buxheti i komunës janë ndarë 250 mijë euro.

“Është zgjedhur kompania dhe tani jemi në fazën e ankesave dhe besoj se nga fillimi i muaji të ardhshëm do të fillojë realizimi apo vendosja e shenjave ku do të vendosen edhe shenja të komunikacionit për matjen e shpejtësisë që korrespondon me sistemin Safe City i cili pritet të votohet dhe të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Do të ketë edhe shenja paralajmëruese se ka kamera dhe krahas kësaj do të vendosen edhe semafor të rinj, ndërkaq, pjesë e këtij prokurorimi publik janë edhe renovimet e semaforëve ekzistues”, deklaroi Albi Qamili – zëvendëskryetar i Komunës së Tetovës.

Ekspertët e komunikacionit theksojnë se përveç vendosjes së shenjave para kamerave, duhet të vendosen edhe pas tyre, gjë që mungon në infrastrukturën rrugore të qytetit. Pa sinjalistikën e nevojshme, dënimi i vozitësve nuk do të jetë legjitim.

“Po sigurisht se janë parakushte këto dhe mendoj se e kanë në dije se këto shenja vertikale që paralajmërojnë se ka kamera, duhet të jenë të vendosura me kufizim të shenjave. Kompetentët me siguri e dinë më mirë, dhe këtë duhet ta ketë parasysh sektori për komunikacion i komunës së Tetovës që paralajmërojnë se afër ka kamera që kontrollojnë qarkullimin”, tha Sulejman Rahimi – ekspert i komunikacionit.

Në bulevardin “Ilindenit” pothuajse nuk ka shenja që tregojnë shpejtësinë maksimale të lejuar, ndërsa mungojnë edhe përgjatë bulevardit “Vidoe Smilevski – Bato”. Kjo krijon konfuzion tek vozitësit, sidomos afër shkollave, objekteve fetare dhe institucioneve, ku duhet të ketë shenja që ulin shpejtësinë në 30 kilometra në orë.