Gazetar: Mihajllo Donev

Gjykatësi Sadulla Izairi nga Gjykata Themelore e Tetovës është anëtari i ri i Këshillit gjyqësor nga radhët e gjykatësve të komuniteteve etnike, edhe atë me numër rekord të votave, 179 nga 390 gjykatës.

Përderisa Izairi ka numër rekord të votave, disa nga konkurrentët e tij, të cilët për vite të tëra kanë punuar në pozita të larta në gjyqësor, shënuan rezultate të dobëta. Shembull është gjykatësi i lartë Xhemali Saiti, i cili dje fitoi vetëm 58 vota “për” nga kolegët e tij.

Saiti mori numër të ulët të votave në kohën kur është kryetar i Shoqatës së gjykatësve, ndërsa vetëm një vit më parë ishte ushtrues detyre i kryetarit të Gjykatës së Lartë.

“Xhemali Saiti e filloi karrierën si gazetar, më pas si avokat, për të hyrë më vonë në politikë, fillimisht si ministër i vetëqeverisjes lokale, e më pas, nga viti 2001 deri në 2004, si zëvendëskryetar i Komisionit Shtetëror të Regjistrimit. Që nga viti 2011 u rikthye në gjyqësor, ku ka qenë gjykatës në Gjykatën e Lartë Administrative, e më pas edhe në Gjykatën e Lartë, ku edhe sot ushtron funksionin gjyqësor”, raporton gazetari i Alsat, Mihajllo Donev.

Pavarësisht kësaj biografie, dje më pak vota se Saiti morën vetëm tre gjykatës, të cilët pothuajse gjithmonë kanë pasur funksione më të ulëta se Saiti. Më pak vota morën vetëm Ylber Hasani, gjykatës në Gjykatën Themelore Civile në Shkup, si dhe Hasan Asani, i cili aktualisht është kryetar dhe gjykatës në Gjykatën Themelore të Tetovës. Në vendin e fundit në listë ishte Shpresa Grainca Osmani nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, e cila mori vetëm 23 vota. / Alsat.mk

The post Me numër rekord të votave, Sadulla Izairi nga Tetova u zgjodh anëtar i ri i Këshillit Gjyqësor nga radhët e komuniteteve joshumicë appeared first on Alsat.