Gazetar: Avni Tahiri
Ndërsa Sindikatat kërkojnë rritje të pagave minimale dhe pagave të tjera, partitë vazhdojnë të përplasen me akuza të ndërsjella. LSDM thotë se Maqedonia e Veriut ka rrogën minimale më të ulët në rajon dhe Evropë. Sipas opozitës maqedonase mosrritja e pagave është strategji e pushtetit për të ulur vlerën e punës.
“Mickoski lavdërohet se jemi ekonomia e katërt në Evropë, atëherë përse nuk jemi në vendin e katërt për lartësinë e rrogave? Në Kosovë, rroga minimale rritet nga 350 në 500 euro në dy faza. Në Shqipëri, nga 1 janari, rroga minimale është 500 euro. Në Serbi, me vendim u rrit rroga minimale në 500 euro, ndërsa në Mal të Zi nga 600 në 800 euro. Pasojat tanimë shihen. Punëtorë të kualifikuar nga Maqedonia me të madhe ikin në perëndim, të rinjtë migrojnë, ndërsa tek ne importohen “punëtorë ekonomikë””, thonë nga LSDM.
Ndërkohë nga VMRO DPMNE thonë se pushtetin e gjeten me një ekonomi e shkatërruar, boshllëk në buxhet, institucione të rraskapitura dhe kolaps i plotë. Sipas partisë në pushtet për shkak të politikave të këqija ekonomike të LSDM-së, shteti ishte në prag të falimentimit.
“LSD dhe Filipçe dolën me propozim 600 euro për rrogën minimale, mirëpo, në pyetjen e radhës së ku e kanë propozimin dhe nëse e kanë Ligjin teknikisht të përgatitur dhe nga ku do gjejnë fonde për të, Filipçe tha se do të bëhet. LSM dhe Trendafillovi, dolën me propozim për 600 euro rrogë minimale dhe rritje të rrogave, mirëpo, kur iu thoni se do ua jepni atë që e kërkojnë deri në fund të mandatit të Qeverisë nuk pranojnë. Përse? Sepse janë skllevër të politikës”, tha Valentin Manasievski – VMRO.
Pas protestës së fundit, Lidhja e Sindikatave ka paralajmëruar bllokada e protesta të reja javën e ardhshme. Kreu i LSM-së tha se do të bllokojnë deputetët që të mos mund të hyjnë e të dalin nga Kuvendi për shkak të mos miratimit të ndryshimeve ligjore për rritjen e pagës minimale. Sindikatat kërkojnë që paga minimale të arrijë në 600 euro, ndërsa pagat e tjera të rriten për 100 euro. Kryeministri Mickoski vazhdimisht ka përsëritur se Qeveria do të pranojë çdo marrëveshje që do ta arrijnë punëtorët e punëdhënësit. / Alsat.mk
The post Paga minimale ndez përplasjen LSDM–VMRO, sindikatat kërcënojnë me protesta appeared first on Alsat.
