-Pres që në mënyrë dramatike të ulet numri i kundërvajtjeve dhe dënimeve, tha kryeministri Hristijan Mickoski duke komentuar nisjen zyrtare të sistemit Safe City, përcjell TV21. Mickoski tha se për shkak të reagimeve në publik, niveli i tolerancës është rritur mbi mesataren evropiane, por paralajmëroi se toleranca gradualisht do të ulet.

“E kemi rritur pragun e tolerancës. Respektivisht deri më 50, do të jetë pragu i tolerancës në 6 km/h. Mbi 50 do të jetë 9 km/h dhe mbi 100 do të jetë 12 km/h, mbi 90 do të jetë 12mendoj 90 apo 100, tani mos më mbani për fjalë, 100, do të jetë 12 km/h. Do të thotë u rrit ajo tolerancë, që mos të dënohen, por siç do të mësohen shoferët, ashtu do të kthehemi te kriteret evropiane. Sepse ne tani nuk jemi te evropiane, evropianet thonë që toleranca duhet të jetë jo më shumë se 10%, ne tani jemi pak më shumë, sepse kishte reagime, ne dëgjojmë, dëgjojmë dhe ja tani jemi diku te 15%. Por qëllimi nuk është që të dënohen qytetarët, qëllimi është të mos ketë aksidente”, tha Mickoski.

I pyetur për kontestimet që janë bërë në Gjykatën Kushtetuese për këtë sistem, Mikcoski tha se çdokush mund ta realizojë këtë të drejtë, duke shtuar se Kushtetuesja ka fjalën e fundit dhe se në rast se kërkohet mendim nga qeveria për këtë çështje, të njëjtën do ta dorëzojnë.

“Unë nuk i komentoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese, le të deklarohet Gjykata Kushtetuese. Atë që do ta thotë Gjykata Kushtetuese, do të jetë përfundimtare. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk komentohet”, tha Mickoski.

Deri tani, në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar tre iniciativa që kontestojnë ligjet që përbëjnë sistemin në fjalë, që kryesisht bazohen në vlerësimet se zbatimi i tij vetëm në disa qytete bie ndesh me parimin kushtetues të barazisë. Ankimim në Kushtetuese ka dorëzuar Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, Alenaca për Shqiptarët krahu i Arben Taravarit edhe Ylli Paçuku, në emër të tij dhe si student i juridikut, por i njëjti është edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së.