Ora është 07:30 e mëngjesit dhe kjo është rruga Tetovë – Kodra e Diellit, diku mbi fshatin Gajre, ku të reshurat e borës sapo kanë filluar. Ndërsa bashkë me ne janë edhe turistët e parë që duan të shkojnë në qendrën e skijimit.

Por me të arritur atje, të rreshtuara, të borës veçmë janë shtuar dhe bashkë me mjegullën, edhe skiatorët bëhen gati që të fillojnë dhe të lëshohen në pista.

Pamje lart te qendra e skijimit

Ekipi i Televizionit 21 vendosi që të kthehet, por gjendja e rrugës vazhdon të vështirësohet. Shumë automjete nuk mund të ngjiteshin, ndërsa ka edhe nga ata që mundohen të vendosin zinxhirë apo pajisje tjera dimërore për t’u ngjitur lart.

 “Edhe pse sot është ditë vikendi dhe gjendja në rrugën Tetovë – Kodra e Diellit, këtu kemi të reshura, ndërsa deri më tani rruga është e pa pastruar. Edhe nga pamjet mund të shihet se shumë automjete kanë ngecur gjatë kësaj rruge, ndërsa mundohen që në mes të rrugës të vendosin pajisje dimërore apo zinxhirë”, raportoi Senat Zylbehari – gazetar.

Në afërsi të fshatit Lisec, takuam një qytetar që kishte ngecur në rrugë; ai i revoltuar tregoi se rruga nuk është pastruar aspak.

Gazetari: Pse keni ndaluar këtu dhe nuk ngjiteni lart?

Qytetari: “Rrugët janë të pa pastruara, sot është ditë e dielë, ditë vikendi. Shërbimet nuk kanë kryer detyrën e vet, kemi ngecur në rrugë në këtë dimër të acartë, shteti askund nuk është, as policia kaloi pak më parë, dhe askush nuk merr masa që kjo rrugë të lirohet.”

Përveç automjeteve, në rrugë kishte mbetur edhe një autobus, i cili nuk mund të lëvizte dhe kishte bllokuar komunikacionin.

Kolonat e veturave ecnin ngadalë, duke u munduar të shkonin të shijonin vikendin në Kodër të Diellit. Nuk kaloi shumë kohë nga publikimi i gjendjes së rrugës në Kodër të Diellit, dhe erdhi edhe njoftimi nga ana e Lidhjes Auto Moto e Maqedonisë dhe NP “Rrugët e Maqedonisë”.

Siç informojnë Lidhja Auto Moto e Maqedonisë dhe NP “Rrugët e Maqedonisë”, reshje bore me intensitet të ndryshueshëm këtë mëngjes ka në Krushevë, Kodër të Diellit, Mavrovë, si dhe në kalimet malore Strazhë, Gjavatë dhe Presekë. Në kalimin malor Bukovë, reshjet janë në formë shiu dhe bore.