Maqedonia përmendet në disa e-maile tronditëse që lidhen me milionerin amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale dhe tashmë i ndjerë. Sipas njërit prej e-maileve të publikuara, përmenden pretendime se tru njerëzor nga persona të vdekur në Maqedoni është ngrirë dhe më pas është dërguar në Shtetet e Bashkuara për qëllime shkencore dhe kërkimore.
Në një nga komunikimet elektronike thuhet se ky proces është realizuar me ndihmën e një anëtari të stafit akademik të Universitetit Columbia, i cili ka origjinë nga Maqedonia dhe ka luajtur rol në koordinimin dhe organizimin e procedurës.
Në lidhje me këtë, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë që siç tha, nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta në zbatimin e veprimtarisë shkencore-kërkimore dhe shtoi se, veprimtari të tilla me material biologjik që përmbajnë karakteristika gjenetike janë subjekt i një rregullimi të rreptë normativ.
“Procedura për transportin e indeve në atë periudhë ka përfshirë: dhënien e pëlqimit të informuar nga familja, pas së cilës ka vijuar vendimi i Komisionit Etik për Hulumtime te Njerëzit, për të vazhduar më tej procedura me lejen për eksport të indeve nga Byroja e atëhershme e Barnave, ku është specifikuar qartë se indi përdoret për veprimtari shkencore-kërkimore dhe për cilat qëllime shfrytëzohet materiali. Në mënyre plotësuese, sqarojmë se kur bëhet fjalë për eksport të materialit biologjik, para fillimit të procedurës është e domosdoshme që ndërmjet institucioneve shkencore në vend dhe jashtë vendit, të cilat kërkojnë miratim për eksport të materialit biologjik, të ekzistojë një marrëveshje formale (memorandum), ku përcaktohen dhe saktësohen protokolle të detajuara në përputhje me rregullativën dhe kornizën normative aktuale. Këto protokolle përfshijnë kushte të rrepta dhe të përcaktuara qartë për çdo veprim me materialin biologjik, arsyen e kryerjes së hulumtimit, si dhe mënyrën e marrjes, transportit, pranimit nga institucioni përkatës dhe trajtimin e mëtejshëm të materialit biologjik”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Shëndetësisë.
