Gazetar: Angell Dimovski

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka dorëzuar nismë në Kuvend, me të cilën kërkon që pagat e funksionarëve të llogariten mbi bazën e pagës minimale, në vend të asaj mesatare, si dhe uljen e koeficienteve për 40 për qind. Përveç kësaj, sindikata kërkon rritje urgjente të pagës minimale në 600 euro. Kryeministri thotë se ata nuk e refuzojnë rritjen e pagave në administratë, por kanë një propozim tjetër.

“Ne propozojmë që kjo shumë të rritet për 8% shtesë dhe kjo do të japë rezultat X të holla. Vitin e ardhshëm në mars, të supozojmë se përsëri rritja e pagës minimale do të jetë 1500 denarë, X paratë e mia do t’i rrisim për 1500 denarë dhe atë shumë do ta rrisim për 8% shtesë dhe do të marrim Y të holla. Në vitin e tretë, në mars 2028, të supozojmë se përsëri paga minimale do të rritet për 1500 denarë dhe këto Y para do t’i rrisim për 1500 denarë dhe këtë mbledhje do ta rrisim për të tretën herë me 8% dhe do të marrim Z të holla. Këto Z para janë minimum 40% më shumë se ato 30 mijë me të cilat kemi filluar”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Nga ana tjetër, nga Oda e zejtarëve sot deklaruan se druajnë se rritja e pagës minimale do të çojë në largime të punonjësve dhe mbyllje të dyqaneve të tyre.

“Me rritjen e pagës minimale menjëherë do të përballemi me probleme, sepse ditën tjetër zejtari do të duhet të rrisë shërbimet e tij, do të duhet të rrisë produktet që do t’i ofrojë në treg, e kjo do të jetë goditje për qytetarët. Me rritjen e pagës minimale, zejtarët do të ndiejnë pamundësi për të paguar kontributet dhe do të përballen me probleme të mëdha dhe mbyllje të bizneseve të tyre”, u shpreh Goran Ristovski – kryetar i Odës së zejtarëve të Shkupit.

LSM ka paralajmëruar se të martën do të bllokojë Kuvendin, me arsyetimin se deputetët nuk e kanë votuar Ligjin për rritjen e pagës minimale. Pastaj të enjten do të bllokojë Odën Ekonomike, ndërsa më 17 shkurt do të bllokojë Qeverinë. /Alsat.mk

The post LSM kërkon rritje të menjëhershme të pagës minimale në 600 euro dhe ulje të pagave të funksionarëve appeared first on Alsat.