Prokuroria bullgare ka nisur një hetim pasi u zbulua se qindra gra ishin incizuar në mënyrë të paligjshme gjatë trajtimeve intime kozmetike në sallone bukurie, dhe videot më pas janë publikuar në faqe pornografike në internet. Incizimet janë kryer me kamera të fshehta, në momente kur gratë shpesh ishin të zhveshura plotësisht.
Disa nga videot e kontestuara datojnë nga viti 2023 dhe ndërkohë janë shpërndarë në shumë platforma pornografike dhe kanale në Telegram.
Sipas prokurores Marija Markova, në polici në Burgas janë dorëzuar më shumë se 100 ankesa. Skandali përfshiu të paktën dy sallone bukurie në Burgas dhe një në Kazanlak, dhe po zhvillohen hetime edhe në qytete të tjera në Bullgari. Prokuroria konfirmoi se mes të dëmtuarve ka edhe të mitura në moshë nga 15 deri në 17 vjeç.
Një nga viktimat deklaroi për televizionin “Nova” se fillimisht kishte njohur shoqe dhe të afërm, pasi vizitonin të njëjtin sallon për vite me radhë, dhe më pas filloi të shqetësohej se mund të shfaqej edhe vetë në videot. Ajo e përshkroi përvojën si poshtëruese dhe shqetësuese, duke theksuar se frika më e madhe e saj ishte që dikush tjetër ta identifikonte.
Mediat vendase raportojnë se mes viktimave ka edhe personalitete publike, përfshirë një gjyqtare, një prokurore, një gazetare, si dhe vajza të një funksionari rajonal. Disa gra pretendojnë se kamerat ishin vendosur shumë afër dhe drejtpërdrejt nga pjesët e tyre intime, ndërsa disa të tjera thonë se procedurat transmetoheshin live, dhe shikuesit paguanin për qasje me kriptomonedha.
Policia ka marrë në pyetje pronarët e salloneve, si dhe punonjës aktualë dhe të mëparshëm, por deri tani nuk ka persona të arrestuar. Pronari e mohojnë përgjegjësinë, ndërsa disa pretendojnë se kamerat e sigurisë janë keqpërdorur përmes një sulmi hakerash.
