Gazetare: Fatlume Dervishi

Një publikim i ri i dokumenteve që lidhen me Jeffrey Epstein po shkakton trazira politike në të dyja anët e Atlantikut, por ndikimi duket shumë i ndryshëm në Mbretërinë e Bashkuar kundrejt Shteteve të Bashkuara. Në Mbretërinë e Bashkuar, Kryeministri Keir Starmer është nën presion të madh dhe madje mund të rrezikojë pozitën e tij pas polemikave mbi emërimin e ish-ministrit Peter Mandelson, i cili kishte lidhje me Epstein. Nga ana tjetër, pozicioni politik i Presidentit të SHBA-së Donald Trump deri më tani ka mbetur i sigurt, edhe pse emri i tij shfaqet në disa nga dosjet e Epstein. Analiza e CNN sugjeron se kjo ndodh sepse pushteti politik i Trump, duke përfshirë kontrollin mbi Departamentin e Drejtësisë dhe mbështetjen në Kongres, e ka mbrojtur atë nga pasojat. Dosjet e Epstein vazhdojnë të kenë një shtrirje të gjerë globale, duke ndikuar ndryshe tek udhëheqësit politikë në të gjithë botën.

Në publikimet e fundit, emri i Presidentit ukrainas Volodimir Zelenski shfaqet disa here në disa korrespondenca dhe shënime që lidhen me zgjedhjet presidenciale të Ukrainës të vitit 2019 dhe komente mbi çështjet gjeopolitike mirëpo këto përmendje janë kryesisht në kontekstin e përmbledhjeve të zhvillimeve por jo prova të keqbërjeve nga vetë Zelenski.
Kremlini ka hedhur poshtë të enjten pretendimet se financieri pedofil Jeffrey Epstein, mund të ketë qenë pjesë e shërbimeve ruse të inteligjencës.

Që Epstein ka qenë spiun i tyre ka mohuar edhe Izraeli, megjithëse në shumë materiale ai shihet bashkë me ish zyrtarë izraelit të asaj kohe.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare Nefail Emini, në intervistë për Alsat, thotë se përfshirja e shumë personaliteteve nga e gjithë bota, do të ketë ndikim.

“Pavarësisht gjithë kësaj, kjo do të ndikojë shumë, duke marrë parasysh se në dosjet e Epstein janë të përfshirë edhe gjykatës e prokuror të SHBA-së por edhe të vendeve të tjera. Duke marrë parasysh volumin që kanë këto dokumente që edhe mediat amerikane nuk arrijnë të përpunojnë të gjithë të dhënat, edhe sistemi i drejtësisë në SHBA por edhe në shtetet e Evropës është vendosur në një presion të jashtëzakonshëm të qytetarëve dhe të opinionit publik. Nëse kjo dosje nuk gjen zbatim për të gjithë personat e përfshirë, atëherë do të ketë një rrënim të besimit në sistemin gjyqësor jo vetëm në SHBA por edhe në vendet evropiane dhe kjo padyshim se do ta ulë besueshmërinë edhe në zgjedhjet dhe në barazinë para ligjit që është baza më e fuqishme që kanë shtetet perëndimore”, tha Nefail Emini, Njohës i çështjeve ndërkombëtare. /Alsat.mk

The post EPSTEIN/ Vazhdon të zgjerohet dosja, kryeministri britanik rrezikon postin appeared first on Alsat.