Kampioni britanik e di mirë se sezoni i dytë me Ferrarin është vendimtar për të. Në moshën 41-vjeçare, piloti nga Stevenxh nuk mund t’i lejojë vetes edhe një vit tjetër me rezultate mesatare. Në sezonin e tij të parë me fanellën e kuqe, Hamilton nuk arriti të ngjitej asnjëherë në podium. Shoku i skuadrës, Sharl Lëklerk, e mundi bindshëm, ndërsa e vetmja ditë me sukses ishte triumfi garën Sprint të Kinës.
Në prag të një sezoni të veçantë, për shkak të ndryshimeve revolucionare në rregullore, Hamilton ka vendosur të ndahet nga Riçardo Adami, i cili nuk do të jetë më inxhinieri i tij i pistës. Gjatë testeve të Barcelonës, Hamilton punoi me Brajan Bozin, inxhinierin që zakonisht bashkëpunon me Lëklerkun. Sipas disa burimeve, Ferrari ka afruar gjithashtu ish-inxhinierin e MekLaren, Sedrik Mishel-Groszho, për ta bërë partnerin teknik të Hamiltonit në vitin 2026.
Por ndryshimet nuk ndalen këtu. Sipas The “Independent”, Hamilton është gjithashtu pranë ndarjes nga përgjegjësja e tij për shtypin, Gabriela Kuaku Jeboah, e njohur si Ela. Ndërkohë, një tjetër shkëputje e konfirmuar është ajo me menaxherin Mark Hajns. Të gjithë këta kanë qenë pjesë e rrethit më të ngushtë të pilotit që ka fituar 105 Çmime të Mëdha në karrierë. Bëhet fjalë për një revolucion të plotë, një “reset” të domosdoshëm për t’i rikthyer shkëlqimin në skuderinë më ikonike të Formulës 1.
“Në fabrikë është bërë një punë e shkëlqyer për t’u siguruar që makina të jetë vërtet e besueshme. Vitin e kaluar nisëm testet shumë më keq. Tani dukemi në një gjendje më të mirë. Kam shumë shpresë se do të vazhdojmë kështu”, deklaroi Hamilton pas testeve të zhvilluara në Barcelonë.
Nga ana tjetër, ish-përfaqësuesi i Hamiltonit ka marrë një rol të ri te Kadillak, sipas “Daily Mail Sport”, çka e bën të pamundur vazhdimin paralel të punës së tij si menaxher i pilotit britanik.
The post Hamilton me ndryshime drastike në prag të sezonit të ri në Formula 1 appeared first on Alsat.
