Pas aksionit për zbulimin prodhimit të paligjshëm të kanabisit mjekësor, reagimet e para janë për ndalimin edhe të prodhimit ligjor dhe të rregulluar me ligj të kësaj bime. Partneri qeveritar i koalicionit Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit, kërkoi që Kuvendi me procedurë të përshpejtuar të miratojë ndryshime në ligjet me të cilat do të ndalohet prodhimi i marihuanës (Cannabis sativa), sipas tyre, për qëllime të dyshimta mjekësore. Nëse kjo zbatohet, do të ishte një goditje edhe për biznesin, i cili çdo vit vlen 30 milionë euro në eksport, dhe kjo në tregje të rregulluara dhe të pasura si në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ministria e Shëndetësisë, e cila është përgjegjëse për dhënien e lejes për prodhimin e kanabisit mjekësor, thotë se kjo veprimtari është rreptë e rregulluar dhe e kontrolluar.
“Sipas protokolleve tona, çdo tre muaj duhet të na informojnë rregullisht zyrat tona, institucionin tonë nga sektori privat që prodhon këtë lloj të prodhimit. Nga ana jonë gjithashtu me Inspektoratin kemi një plan vjetor, por kemi edhe vizita ad-hoc nëse është e nevojshm”, tha Azir Aliu.
Disa institucione janë përgjegjëse për dhënien e lejes për kultivim dhe prodhim të kanabisit mjekësor.
Faza e parë është të merret leje për mbjellje dhe kultivim të kanabisit mjekësor. Por, kjo nuk do të thotë asgjë nëse nuk plotësohet së paku një nga dy hapat e mëposhtëm. I pari është të merret së paku një certifikatë për praktikë të mirë bujqësore, GACP (Xhi-Ej-Si-Pi), e cila lejon që kanabisi të trajtohet si lëndë e parë për nxjerrjen e vajit ose për prodhimin e luleve të thata. Me këtë certifikatë, më pas mund të kërkohet edhe certifikata GMP (Xhi-Em-Pi) që do të thotë se lënda e parë mund të përpunohet në vaj ose në lule të thata. Të gjitha këto hapa duhet të jenë rreptësisht të kontrolluara dhe pothuajse dihet se cila kompani sa kanabis ka mbjellë, sa prej tyre kanë arritur të rriten në bimë, sa kanë dhënë prodhim dhe sa produkti është cilësuar. Kontrolli shkon deri aty sa çdo bimë shkatërrohet në prani të policisë. Gjithashtu, eksporti është shumë i kontrolluar dhe nuk mund të eksportohet asnjë gram produkt nëse nuk dihet përdoruesi përfundimtar, dhe për këtë nuk ka deklarata eksporti dhe importi me detaje të hollësishme për sasi dhe cilësi. Përveç kësaj, çdo kompani në fillim të vitit duhet të deklarojë sa planifikon të prodhojë dhe kjo deri te bima dhe deri te gram produkt, dhe kjo duhet të raportohet te institucionet vendase, por edhe te Zyra në Vjenë për ndjekjen e substancave narkotike. Ministri Aliu thotë se për çdo gjë tjetër që nuk është në kompetencën e tyre, përgjegjësia i takon institucioneve të tjera.
“A dalin jashtë dhe si transferohet kjo nga një institucion te tjetri sipas protokolleve duhet të na informojnë, por nëse është jashtë këtyre protokolleve ne nuk jemi kompetentë si institucion; përgjegjësia i takon Ministrisë së Punëve të Brendshme”, deklaroi Aliu.
Ndryshe, përdorimi i kanabisit mjekësor për qëllime shëndetësore, jo rekreative, në botë vlerësohet rreth 30 miliardë në vit, me parashikime që deri në vitin 2032 mund të rritet deri në 140 miliard dollarë. Tregjet më të mëdha janë SHBA-të, por edhe Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, me miliona pacientë, dhe vlerësohet se treg i ardhshëm në zhvillim është Ukraina.
