Pas rritjes rekord të çmimit të arit, pritej korrigjim. Disa nga investitorët në bursë realizuan fitimet, ndërsa tregjet hynë në një fazë qetësimi. Kriptovalutat, nga ana tjetër, shënuan rënie të papritur, kryesisht për shkak të efektit psikologjik tek investitorët dhe rritjes së rrezikut. Ari, i cili në periudhën e kaluar arriti çmime mbi 5.500 dollarë për unsë, përballet me rënie që në një moment të shkurtër ishte 1.000 dollarë nga maksimumi i tij. Sipas investitorëve në bursë, kjo lëvizje nuk është befasi. Pas një rritjeje të fortë, normale është që tregjet të hyjnë në një fazë korrigjimi të çmimeve. Edhe pse zakonisht ari dhe dollari lëvizin në drejtim të kundërt, këtë herë rënia e arit nuk lidhet drejtpërdrejt me forcimin e valutës amerikane, por kryesisht me kufirin psikologjik që arriti me çmimin.
“Është e pritshme që të ketë një korrigjim të caktuar. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se pas një rritjeje prej 40-50%, normale është të ketë 10-15% korrigjim, ku kjo ndodh sepse ata që investuan më parë, marrin fitimet dhe shesin. Dhe kryesisht, për shkak të psikologjisë, pasi pas një rritjeje të madhe vjen një lloj korrigjimi”, tha Sasho Drakulovski.
Aktualisht, çmimi i arit afrohet në 5.000 dollarë për unsë. Në të njëjtën kohë, bitkoini shënoi rënie të fortë. Edhe pse disa investitorë prisnin stabilizim, tregu reagoi ndryshe. Sipas analistëve, kriptovalutat mbeten instrumente shumë spekulative, pa mbështetje të qartë fundamentale. Prandaj, kur fillon një rënie prej 15-20 për qind, aktivizohet ajo që quhet spirale psikologjike dhe paniku përhapet tek ata investitorë që fillimisht nuk kishin ndërmend të shisnin, duke thelluar më tej rënien.
“Unë personalisht nuk jam për instrumente të tilla spekulative pa mbështetje, por për investitorët që janë të gatshëm për rrezik të lartë, atëherë është OK. Por unë preferoj që të mbahen afatshkurtër, sepse afatgjatë nuk dimë çfarë do të ndodhë me këto kriptovaluta, pasi mund të ndodhë që në të ardhmen Shtetet e Bashkuara ose ndonjë bankë tjetër qendrore të krijojnë kriptovalutat e tyre dhe këto të mos jenë më interesante”, deklaroi Sasho Drakulovski.
Dhe ndërkohë që ari stabilizohet pas rritjes së fortë, dhe kriptovalutat kalojnë një periudhë turbulente, mesazhi nga ekspertët është i qartë: tregjet nuk udhëhiqen vetëm nga numrat, por edhe nga psikologjia e investitorëve. Në këto kushte, rekomandohet që vëmendja dhe menaxhimi i rrezikut të jenë thelbësore gjatë tregtimit të aksioneve dhe instrumenteve të tjera të bursës.
