Vazhdojnë reagimet lidhur me kërkesën që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, refuzimin e Ministrisë së Drejtësisë e vlerësojnë të papranueshëm. Sipas ASH-së, arsyetimi i Ministrisë se “provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pasi shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase” juridikisht është i paqëndrueshëm.

“Me shqetësim shtrojmë pyetjen: pse Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, peticionin e studentëve shqiptarë e delegoi te Ministria e Drejtësisë dhe nuk e procesoi në Kuvend?
Ministri i Drejtësisë, me këtë veprim, vendos veten mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi Qeverinë dhe mbi çdo institucion tjetër të vendit, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës dhe barazinë e qytetarëve”, tha ASH-Taravari.

Reagoi edhe Zeqirija Ibrahimi, ish-kryetar i Alternativës, duke theksuar se rasti i provimit të jurisprudencës dëshmon se gjuha shqipe nuk zbatohet si gjuhë zyrtare në RMV.

“Pas disa viteve, qëkur e kishin gënjyer kryeministrin e Shqipërisë se shqipja në RMV është bërë zyrtare, më në fund edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup e mori vesh se shqipja te ne nuk qenka zyrtare dhe se një provim i jurisprudencës në shtetin tonë nuk mbaheshka edhe shqip për së paku dy dekada me radhë”, dekalroi Zeqirija Ibrahimi.

I pyetur për këtë çështje zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, tha se Ligji për Provimin e Jurisprudencës, që është aktiv nga janari i vitit 2020, është me defekte, pasi nuk e precizon se në cilën gjuhë duhet të jepet provimi. Ai gjithashtu tha se Ministria e Drejtësisë nuk është e gatshme të respektojë Kushtetutën e vendit

Nga ASH Taravari shtuan se VLEN është në Qeveri për të zgjidhur probleme, jo për t’u ankuar. Nga partia shtruan edhe pyetjen: “Pse Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, peticionin e studentëve shqiptarë e delegoi te Ministria e Drejtësisë dhe nuk e procesoi në Kuvend?”