Deputetët nesër duhet të vijnë në punë, qoftë në këmbë apo më herët. Ne do të punojmë, sindikatat do të protestojnë. Këtë e tha kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë një briefing-u me gazetarët, në prag të bllokadës së paralajmëruar nga Lidhja i Sindikatave të Maqedonisë.

Nesër nga ora 9:00, punëtorët e udhëhequr nga LSM do të mbajnë protestë duke bllokuar rrugët “11 tetori” dhe “Dame Gruev”, në mënyrë që deputetët të mos mund të vijnë me automjete dhe, sipas tyre, të mos mund të përfitojnë shpenzimet për udhëtim.

 “Ne u kemi paralajmëruar të gjithë koordinatorëve t’u thonë deputetëve të gjejnë mënyrë për të ardhur në seancë, qoftë me këmbë apo më herët. Ne duhet të vazhdojmë punën, duke respektuar të drejtën për grevë. Nuk do të ketë sigurim të veçantë për Kuvendin. Shefi i kabinetit tim pati takim me MPB-në, ata kanë protokolle të rregullta sigurie. Pra, ne do të punojmë, ata do të protestojnë”, tha Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.

Për sa i përket kërkesës së sindikalistëve për pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje prej 6.000 denarësh për pagat e tjera, Gashi tha se çdo parti do të marrë qëndrim të vetin. Sa i përket iniciativës për uljen e pagave të funksionarëve, sipas tij, duhet bërë analizë dhe niveli i pagave të funksionarëve të balancohet sipas rëndësisë.

Nga LSM u bë thirrje punëtorëve që nesër të bashkohen në bllokadën e Kuvendit. Ata thonë se është e papranueshme që deputetët të marrin të paktën 250 euro plus, ndërsa punëtorëve nuk u jepen as 25 euro.

“Sipas ligjit, na duhen të paktën 21 persona në secilën prej dy lokacioneve për të bllokuar deputetët. Ata të mos shqetësohen për numrin e njerëzve që do të dalin në rrugë, pasi bllokada duhet t’u japë mesazh deputetëve që ata kanë bllokuar ligjin për pagën minimale më shumë se një vit, ndërsa për të njëjtin periudhë çdo familje është më e varfër për 9.500 denarë në muaj, sepse vlera e shportës minimale sindikale është rritur për aq shumë”, u shpreh Slobodan Trendafilov, Kryetar i LSM-së.

LSM paralajmëroi se nëse deputetët vazhdojnë të heshtin, do të grumbullojnë 10.000 firma për të propozuar ligje që ulin pagat e funksionarëve dhe rrisin ato të punëtorëve.

Kjo është bllokada e parë e paralajmëruar nga LSM. Të enjten, bllokadat do të zhvendosen tek punëdhënësit, para odave, ndërsa për 17 shkurt është paralajmëruar bllokada e Qeverisë. Nëse kërkesat nuk merren parasysh, LSM ka paralajmëruar protesta të reja dhe nuk përjashton grevë të përgjithshme në sektorin publik dhe privat.