Projekti i përbashkët i Francës dhe Gjermanisë për ndërtimin e një super avioni luftarak europian rrezikon të dështojë. Sipas mediave italiane, përfshirë Corriere della Sera, programi FCAS konsiderohet “praktikisht i vdekur”, ndërsa mungon vetëm njoftimi zyrtar për mbylljen e tij.
Projekti ishte iniciuar në vitin 2017 nga Franca dhe Gjermania, me qëllim që Bashkimi Evropian të zhvillonte një avion luftarak modern, të pavarur nga teknologjia amerikane. Më vonë, në këtë iniciativë ishte përfshirë edhe Spanja.
Megjithatë, prej vitesh mes Parisit dhe Berlinit kanë ekzistuar mosmarrëveshje të thella lidhur me ndarjen e punës dhe kontrollin e teknologjisë. Gjermania ka akuzuar Francën për përpjekje për të dominuar prodhimin, ndërsa autoritetet franceze kanë deklaruar se janë të afta ta realizojnë projektin edhe pa partnerë.
Sipas raportimeve, Gjermania po shqyrton seriozisht largimin nga FCAS dhe bashkimin me një projekt alternativ për avionë luftarakë, ku marrin pjesë Britania e Madhe, Italia dhe Japonia. Ky zhvillim ka shkaktuar shqetësim në Paris.
Mediat franceze raportojnë se presidenti Emmanuel Macron i ka kërkuar shpjegime kancelarit gjerman Friedrich Merz, duke e konsideruar një largim të Gjermanisë si goditje të rëndë për bashkëpunimin franko-gjerman dhe për vizionin e mbrojtjes së përbashkët evropiane.
Ndërkohë, Gjermania po kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë dhe ekonomike për modernizimin e forcave ajrore, ndërsa Franca po përpiqet të shpëtojë projektin FCAS, duke paralajmëruar se dështimi i tij do të dërgonte sinjale negative për unitetin europian.
