“Çdo gjë tjetër është presion! Dhe kjo nuk do të kalojë”,  Fillkov i reagon Salit për çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe

Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov ka deklaruar ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali në Click Plus të TV21, në lidhje me çështjen e kërkesës së studentëve për provim të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe. Fillkov mbetet në qëndrimin se provimi i jurisprudencës jepet në maqedonisht, sepse ky provim shërben për të verifikuar njohjen e gjuhës maqedonase.

Në lidhje me: Sali: Bisedova me Fillkovin, por ai s’ka vullnet! Zëvendëskryeministri paralajmëroi hapa të mëtejshëm

“E kuptoj zëvendëskryeministrin Bekim Sali si dentist dhe si politikan që sapo ka filluar të njihet me çështjet e integrimeve evropiane dhe reformave në drejtësi. Por, theksoj, shteti nuk funksionon mbi bazën e vlerësimeve personale, refleksit profesional apo përshtypjeve politike. Vendimet nuk merren sipas ndjenjave, por sipas Kushtetutës dhe ligjit.
Në sistemin juridik nuk ekziston kategoria “ka apo nuk ka vullnet”. Ekzistojnë norma kushtetuese, vendime ligjore dhe procedura institucionale. Çdo gjë tjetër është një thjeshtësim i rrezikshëm që gropos shtetin ligjor dhe e kthen praktikën, nga i cili, për fat të keq, Maqedonia ka paguar shtrenjtë në të kaluarën. Në këtë kontekst, Ministria e Drejtësisë shqyrtoi peticionin e paraqitur nga studentët lidhur me mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ku u analizuan me kujdes të gjitha dispozitat kushtetuese dhe ligjore relevante. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve lejon përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në procedurat para institucioneve, por zbatimi i tij nuk mund të shqyrtohet i izoluar nga ligjet e tjera sistemike që rregullojnë funksionimin e drejtësisë. Provimi i jurisprudencës përbën një kusht kyç për hyrjen në gjyqësi, prokurori, avokaturë, noterizim dhe përmbarim, ku të gjitha këto ligje parashikojnë qartë kërkesën për njohje aktive të gjuhës maqedonase. Mbajtja e provimit të drejtësisë në gjuhën maqedonase ka funksion të drejtpërdrejtë për kontrollin e përgatitjes gjuhësore dhe profesionale, duke pasur parasysh se të gjitha procedurat, vendimet dhe aktet zyrtare në sistemin e drejtësisë kryhen dhe merren kryesisht në gjuhën maqedonase dhe me alfabetin cirilik, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet”, shkruan mes tjerash Fillkov.

Ministri Fillkov thotë se nuk mban qëndrimi i Salit që Ministria e Drejtësisë nuk ka argumente për mos-pranimin e peticionit të studentëve shqiptarë të juridikut, duke shtuar se funksionarët duhet të respektojnë ligjin dhe Kushtetutën, dhe se sipas tij, “çdo gjë tjetër është presion dhe nuk do të kalojë”.

“Prandaj, teza se Ministria e Drejtësisë “nuk ka argumente” është e pasaktë dhe e motivuar politikisht. Argumentet janë të qarta, kushtetuese dhe ligjore. Ajo që mungon në deklaratat e zëvendëskryeministrit është respekti për sistemin juridik në tërësi. Në fund, më lejoni t’i drejtoj një mesazh z. Sali. I nderuar koleg, Kushtetuta nuk është temë për emisione televizive, as nuk është mjet për narrativa politike, dhe drejtësia nuk mund të jetë peng i asnjë agjende. Qeveria ka si qëllim të vendosë rend pas viteve të shpërbërjes institucionale, të zbatojë reforma, jo të prodhojë konflikte. Ai që dëshiron politikë, le ta bëjë në zgjedhje, por ai që mban një funksion në një shtet ligjor, duhet të respektojë Kushtetutën dhe ligjet. Çdo gjë tjetër është presion. Dhe kjo nuk do të kalojë”, shton Fillkov.