Andriy Shevchenko ka zbuluar se në vitin 2008 i tha “jo” Romës. “Isha në 50% të Shevës së dikurshëm. Më telefonoi edhe Spalletti, një zotëri i vërtetë, por për mua kthimi në Itali do të thoshte vetëm Milan”, – tregoi ish-sulmuesi ukrainas në intervistë me Luca Tonin për formatin “Fenomeni”.
Fituesi i “Topit të Artë” 2003 rrëfeu edhe refuzimin ndaj Real Madridit: “Në vitet 2002 dhe 2003 më kërkuan, por e qetësova Berlusconin duke i thënë se ndieja që ende nuk kisha bërë asgjë për Milanin. Për mua objektivi ishte të fitoja dhe të jepja gjithçka me Milanin”.
Ndërsa për kalimin te Chelsea më 2006: “Ishte një sfidë. Në atë moment futbolli anglez po afrohej me nivelet e sotme. Më kujtohet se e pashë Milan–Roma nga tribuna me tifozët, i gjithë stadiumi këndoi për mua duke më kërkuar të qëndroja dhe unë qava bashkë me ta. Ishte një vendim i vështirë, por doja të provoja një eksperiencë të re. Shokët e skuadrës më qëndruan shumë pranë në atë moment. Vitin pasues Milani fitoi Champions League, por nuk kam pengje, e di që i dhashë shpirtin fanellës kuqezi”.
Shevchenko kujtoi edhe finalen e Champions-it 2003 kundër Juventusit dhe penalltinë ndaj Buffon: “E kisha vëzhguar në të gjitha penalltitë e mëparshme. Duhej të prisja që të zgjidhte një anë. Çdo hap që bëja drejt pikës së penalltisë vazhdoja t’ia përsërisja vetes ‘mos e ndrysho vendimin, mos e ndrysho vendimin’, sepse e dija tashmë ku do ta godisja topin, por jo si. Kur mbërrita te pika e penalltisë, për pak nuk e dëgjova fishkëllimën e arbitrit, ndaj siç shihet edhe në pamje, vazhdoja të kthehesha duke parë herë atë, herë Gigi. Më pas, kur u ktheva në dhomat e zhveshjes, ndihesha i lodhur, bosh. Kisha dhënë gjithçka që kisha”.
The post Shevchenko zbulon prapaskenat: I thashë jo Romës, ja sekreti i penalltisë kundër Buffon appeared first on Telesport.
